Nga data 24 deri më 28 shtator në Kosovë do të qëndrojnë disa ekspertë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në kuadër të një misioni vlerësues, të cilin e dërgon Komisioni Evropian për të parë përparimin e Kosovës në fushën e drejtësisë, përkatësisht për progresin në zbatimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile, komerciale dhe për çështjet që lidhen me to.
Zyra e BE-së në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se Komisioni Evropian rregullisht bën misione të rishikimit, duke përfshirë këtu edhe ato në fushën e sundimit të ligjit.
Sipas kësaj Zyre, kjo ndihmon që të përcaktohen prioritetet kyçe për Kosovën në rrugëtimin evropian.
Zyra e BE-së në Prishtinë po ashtu ka thënë se ky proces ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave.