Site icon Telegrafi

BE-ja i dha Hungarisë 10 miliardë euro që ia mohoi vitin e kaluar: A po i bën Brukseli lëshime Orbanit?

Komisioni Evropian lejoi sot lirimin e 10 miliardë eurove në fondet e kohezionit për Hungarinë, gati një vit pasi paratë u ngrinë për shkak të dështimit të vendit për të adresuar problemet e vazhdueshme të sundimit të ligjit.

Kjo do të thotë se qeveria hungareze do të jetë në gjendje të aplikojë për kompensim deri në 10.2 miliardë euro për financimin e projekteve zhvillimore në të gjithë vendin.

Lexo po ashtu Hungaria do të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në BE, reagon Zelensky

“Ne kemi marrë garanci të mjaftueshme për të thënë se pavarësia e gjyqësorit do të forcohet në Hungari”, tha Didier Reynders, Komisioneri Evropian për Drejtësinë, raporton euronews.

“Megjithatë, vendimi i sotëm nuk është fundi i procesit. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën dhe do të reagojmë herët në rast se ka një kthim prapa”, shtoi zyrtari evropian.

“Drita jeshile” nga Bashkimi Evropian vjen në një mjedis politik gjithnjë e më të tensionuar, teksa kryeministri hungarez, Viktor Orban këmbënguli se do të shfrytëzojë veton për hapjen e bisedimeve të pranimit të Ukrainës në Union dhe do të bllokojë një fond të posaçëm prej 50 miliardë eurove për të mbështetur ukrainasit në luftën kundër pushtuesve rus.

Të tre çështjet e rëndësishme do të diskutohen më vonë këtë javë gjatë një samiti dy-ditor të krerëve të BE-së. Duhet unanimiteti për t’i dërguar përpara.

Lexo po ashtu Orbán thotë se Hungaria do të bllokojë negociatat e anëtarësimit në BE për Ukrainën

Ndryshe, lirimi i parave të ngrira dhe vetoja kërcënuese e Orbanit – nxitën spekulimet se Brukseli po vendos për këto hapa për të qetësuar Budapestin, të cilin Komisioni Evropian e mohoi me vendosmëri.

Përshtypja u përforcua më tej të martën kur drejtori politik i kryeministrit pranoi hapur në një intervistë se ishte e mundur një “quid-pro-quo”. /Telegrafi/

Exit mobile version