Ushtria izraelite ka njoftuar se ka marrë kontrollin e zonës strategjike të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si korridori Filadelfi, që do të thotë se tani Izraeli kontrollon të gjithë kufirin tokësor të Gazës.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se kanë gjetur rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gazë.
Bëhet e ditur se ky njoftim vjen në një periudhë tensionesh të rritura me Egjiptin.
“Në ditët e fundit, IDF ka vendosur kontrollin operacional në korridorin e Filadelfit, në kufirin midis Egjiptit dhe Rafahut”, tha zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari.
Ai e përshkroi korridorin si një “vijë shpëtimi” për Hamasin, përmes të cilit grupi “kontrabandonte” armë në Rripin e Gazës.
Hagari më vonë në një konferencë tha se nuk mund të ishte i sigurt se të gjitha tunelet kalonin në Egjipt, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, korridori i Filadelfit është një zonë 100 metra e gjerë e cila kalon përgjatë Gazës. I vetmi kufi tjetër tokësor i Gazës është ai me Izraelin.
Egjipti më parë ka thënë se ka shkatërruar tunele ndërkufitare, duke e bërë të pamundur çdo kontrabandë armësh, dhe se Izraeli po i përdor këto akuza vetëm për të justifikuar vazhdimin e operacionit në Rafah dhe zgjatjen e luftës për qëllime politike.
Ndryshe, Izraeli po vazhdon të këmbëngulë se duhet ta marrë Rafahun për ta mposhtur Hamasin.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, që nga fillimi i konfliktit janë vrarë të paktën mbi 36 mijë persona.
Tensionet midis Egjiptit dhe Izraelit janë rritur që kur forcat izraelite morën kontrollin në Rafah, si pjesë e ofensivës së tyre kundër Hamasit.
Në fillim të kësaj jave, një ushtar egjiptian u vra në një incident që përfshinte trupat egjiptiane dhe izraelite në zonën kufitare pranë Rafahut. /Telegrafi/