Forcat tokësore izraelite po shkojnë gjithnjë e më tej në jug të Gazës, pas tri ditësh bombardimesh të fuqishme.
Sipas BBC, raportet fillestare nga radioja e ushtrisë izraelite konfirmuan efektivisht se Izraeli ka nisur një operacion tokësor në veri të Khan Younis, përcjell Telegrafi.
Dhe BBC thotë se ka verifikuar gjithashtu imazhet e një tanku izraelit që vepron pranë qytetit.
Kreu i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) më vonë u tha trupave se IDF po luftonte gjithashtu “fortësisht dhe tërësisht” në Gazën jugore.
Një zëdhënës i IDF-së më vonë konfirmoi se Izraeli “vazhdon të zgjerojë inkursionin tokësor” në të gjithë Gazën, duke përfshirë trupat “që zhvillojnë beteja ballë për ballë me terroristët”.
Që nga përfundimi i një armëpushimi njëjavor të premten, Izraeli ka rifilluar një fushatë të bombardimeve në shkallë të gjerë në Gaza, të cilën banorët e Khan Younis e kanë përshkruar si valën më të rëndë të sulmeve deri më tani.
Armëpushimi shtatë-ditor bëri që Hamasi të liroi 110 pengje që mbaheshin në Gaza në këmbim të lirimit të 240 palestinezëve nga burgjet izraelite.
Ndërkohë të dielën në mëngjes, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për disa rrethe të Khan Younis, duke u kërkuar njerëzve që të largoheshin menjëherë.
Autoritetet izraelite besojnë se anëtarët e udhëheqjes së Hamasit fshihen në qytet, ku qindra mijëra njerëz janë strehuar pasi u larguan nga luftimet në veri në fazat e hershme të luftës. /Telegrafi/