Ushtria izraelite i ka thënë OKB-së se të gjithë që jetojnë në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendosen në jug të Gazës për 24 orët e ardhshme, thotë një zëdhënës i OKB-së.
OKB thotë se kjo thirrje u bëhet rreth 1.1 milion njerëzve – rreth gjysma e popullsisë së gjithë Rripit të Gazës. Zona e prekur përfshin qytetin e Gazës me popullsi të dendur.
Alarmi iu dha vetëm para mesnate.
Kombet e Bashkuara e konsiderojnë të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare, tha OKB në një deklaratë.
Izraeli është duke u përgatitur për një ofensivë tokësore, duke mbledhur ushtarë, artileri të rëndë dhe tanke në kufirin e Gazës. Vendi ka nisur sulme ajrore në Gaza që nga e shtuna pas sulmit të befasishëm të militantëve të Hamasit ndaj Izraelit.
Wadi Gaza është një luginë lumi që ndodhet rreth qendrës së Rripit të Gazës, që shtrihet në të gjithë gjerësinë e saj dhe përfundon në Detin Mesdhe. Është i njohur për ligatinat e saj bregdetare dhe biodiversitetin. /Telegrafi/