Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant thotë se operacioni ushtarak i Izraelit kundër Hamasit do të vazhdojë “me forcë” pas armëpushimit të shkurtër që fillon të premten dhe se luftimet pritet të vazhdojnë edhe për të paktën dy muaj të tjerë.
“Kjo do të jetë një pauzë e shkurtër. Kur të përfundojë, luftimet do të vazhdojnë me forcë dhe do të krijojnë presion që do të lejojë kthimin e më shumë pengjeve”, citohet të ketë thënë Gallant ndërsa vizitoi trupat izraelite të enjten, përcjell Telegrafi.
“Pritet një luftim edhe për të paktën dy muaj të tjerë”, shtoi ai.
Ndërkohë ushtria izraelite ka thënë se procesi i dorëzimit të pengjeve do të jetë “i ndërlikuar”, duke paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në marrëveshje në çdo moment.
“Asgjë nuk është finalizuar derisa të ndodhë realisht. Dhe edhe në mes të procesit, ndryshimet mund të ndodhin në çdo moment”, ka theksuar zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, adm. Daniel Hagari në konferencën e tij të përditshme për media të enjten.
Ai shtoi se ushtria izraelite vazhdon të luftojë në Rripin e Gazës “në këtë orë”, duke vënë në dukje se sapo të hyjë në fuqi pauza, ushtarët e IDF do të vendosen përgjatë “vijave të armëpushimit” të vendosura brenda rripit.
Linja e armëpushimit mban efektivisht trupat izraelite në Gazën veriore dhe ato nuk do të lëvizin në jug gjatë pauzës së luftimeve, tha një zëdhënës i IDF për CNN. /Telegrafi/