Që nga fillimi i një operacioni tokësor në Gaza më 27 tetor, forcat izraelite kanë gjetur rreth 800 “boshte” që çojnë në rrjetin e gjerë nëntokësor të tuneleve dhe bunkerëve të Hamasit, dhe kanë shkatërruar më shumë se gjysmën e tyre, tha ushtria të dielën.
Siç kujtojnë mediat, grupi islamik palestinez tha përpara fillimit të luftës tashmë tetë-javore në Rripin e Gazës, se kishte qindra kilometra tunele, që do t’i shërbenin për mbrojtje dhe si baza operative.
Dhe kjo i ka bërë ata objektivë kryesore për sulmet ajrore izraelite me municione depërtuese.
“Boshtet e tunelit ishin të vendosura në zona civile, shumë prej të cilave ishin afër ose brenda ndërtesave dhe strukturave civile, të tilla si shkolla, kopshte, xhami, dhe kënde lojërash”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të dielën.
Numri i civilëve të vrarë gjatë luftës, ka shqetësuar gjithnjë e më shumë fuqitë botërore.
Madje, Washingtoni i kërkoi Izraelit të tregojë kujdes gjatë sulmeve të tij drejt palestinezëve.
Sipas ushtrisë izraelite, nga rreth 800 boshte të zbuluara, 500 ishin shkatërruar duke përdorur një sërë metodash operacionale, që përfshinin “shpërthimin dhe mbylljen” e tuneleve. /Telegrafi/