Telegrafi

Izraeli thotë se ka shpëtuar dy pengje nga Hamasi në Rripin e Gazës – bëhen të ditura detajet e operacionit

Ushtria izraelite ka thënë se ka shpëtuar dy pengje nga robëria në Rripin e Gazës herët të hënën, duke shënuar një arritje të rëndësishme në përpjekjet e saj për të rikthyer mbi 100 robër që besohet se mbahen nga grupi militant Hamas.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pengjet u liruan gjatë një aksionin që përfshinte sulmet izraelite në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Operacioni rezultoi në vdekjen e të paktën shtatë personave.

Izraeli e ka identifikuar Rafahun si bastionin e fundit të Hamasit në Gaza pas më shumë se katër muajsh konflikt.

Shtëpia e Bardhë zbuloi se presidenti Joe Biden paralajmëroi kryeministrin Benjamin Netanyahu kundër kryerjes së një operacioni ushtarak në Rafah pa një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët.

Rreth 1.4 milion palestinezë vlerësohet të jenë në zonë pasi u larguan nga një pjesë tjetër e Rripit për t’i shpëtuar luftimeve.

Pengjet e shpëtuar, Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Har, 70 vjeç, u rrëmbyen nga militantët e Hamasit nga Kibbutz Nir Yizhak gjatë një sulmi ndërkufitar më 7 tetor.

Ata u transportuan me aeroplan në spitalin Sheba në Izraelin qendror dhe raportohet se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas dëshmitarëve, aksioni i së hënës përbëhej nga të paktën 15 sulme ajrore.

Nënkoloneli Richard Hecht, një zëdhënës ushtarak, deklaroi se operacioni u ekzekutua bazuar në inteligjencën e saktë, me vendndodhjen e synuar nën vëzhgim për disa kohë. /Telegrafi/