Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, thotë se fushata e ushtrisë në Gaza “mund të zgjasë një, dy ose tre muaj, por në fund nuk do të ketë më Hamas”.
Gallant foli pas një konference operacionale në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të Operacioneve të Forcave Ajrore Izraelite, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Për sa i përket aspekteve operacionale të manovrimit, në fund të ditës, asgjë nuk do ta ndalojë IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)”, tha ai.
“Ky duhet të jetë operacioni ynë i fundit i manovrimit në Gaza, për arsyen e thjeshtë se më pas nuk do të ketë më Hamas”.
Ministri shprehu vlerësimin e tij për forcat ajrore dhe tha se faza tjetër, një operacion tokësor i shumëpritur, “do të vijë së shpejti”.
Por se sa shpejt, mbetet e paqartë.
Ndërkohë, në intervista të veçanta, dy zëdhënës të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit trajtuan pyetjen se kur do të ndodhte një ofensivë e tillë.
Nënkoloneli Peter Lenner i tha BBC-së Newshour se koha do të merrte parasysh përpjekjet për lirimin e dhjetëra pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
“Ofensiva tokësore, nëse ndodh, do të jetë në kohën më të mirë operacionale”, thotë ai.
Ndërsa nënkoloneli Jonathan Conricus i tha “Australian Broadcasting Corporation” se “lufta do të përfundojë” nëse Hamasi dorëzohet dhe liron pengjet e tyre.
Nëse Hamasi refuzon, Conricus tha, “ne ndoshta do të duhet të hyjmë dhe ta bëjmë atë”. /Telegrafi/