Site icon Telegrafi

Izraeli publikon disa pamje, thotë se tregojnë sulmuesin e Hamasit duke ekzekutuar një grua – në festivalin e mbajtur më 7 tetor

Izraeli publikoi të hënën disa pamje të kamerave të sigurisë nga festivali i mbajtur me 7 tetor, të cilat thuhet se tregojnë persona të armatosur nga Hamasi duke dëbuar pjesëmarrësit dhe ekzekutuar një prej tyre.

Mediat raportojnë se Izraeli po kërkon të shmangë kritikat ndërkombëtare për reagimin e tij ndaj sulmeve të Hamasit.

Por pavarësisht thirrjeve në rritje për armëpushim, Izraeli ka deklaruar se do të vazhdojë me fushatën e tij shkatërruese derisa Hamasi të zhduket, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë disa pamje të shpërndara thuhet se tregojnë persona duke vrapuar, teksa përpiqeshin t’i shpëtonin festivalit që u shndërrua në masakër.

Në fund të videos, një nga gratë e ndjekura identiteti i së cilës nuk dihet, ulet në tokë, dhe personi i armatosur pranë saj ngre pushkën dhe e qëllon.

Vendndodhja e pamjeve u verifikua nga Reuters, duke u bazuar në shtrirjen e rrugës, pemët dhe ndërtesën afër e cila përputhej me imazhet satelitore të zonës.

Ndryshe, presioni mbi Izraelin po rritet për të rënë dakord për një armëpushim ndërkohë që qeveria e drejtuar nga Hamasi, ka deklaruar se janë vrarë të paktën 13,300 njerëz, duke përfshirë 5,600 fëmijë. /Telegrafi/

Exit mobile version