Site icon Telegrafi

Izraeli përsëri urdhëron evakuimin e popullatës civile nga Rafahu i Gazës

Izraeli përsëri u ka bërë thirrje banorëve të Rafahut në Rripin e Gazës që të evakuohen dhe të shkojnë drejt “zonës së zgjeruar humanitare”, ndërsa ushtria e tij përgatitet të shtojë sulmet ushtarake.

Pavarësisht presionit të madh të SHBA-së, Izraeli ka njoftuar se do të vazhdojë ta sulmojë qytetin jugor të Gazës.

Kjo ka bërë që presidenti amerikan, Joe Biden, të paralajmërojë se SHBA-ja do të ndalojë furnizimin e Izraelit me armë nëse ai vazhdon ta sulmojë Rafahun.

Mirëpo, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të vazhdojë me ose pa armët amerikane, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kabineti i luftës së Izraelit miraton zgjerimin e operacionit në Rafah, pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së

Edhe OKB-ja dhe agjenci të tjera kanë paralajmëruar se një sulm izraelit në Rafah i cili ndodhet në kufi me Egjiptin, do të “gjymtojë” operacionet humanitare dhe do të shkaktojë një rritje katastrofike të viktimave civile.

Por, Izraeli këmbëngul vazhdimisht se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit në Gazë, andaj edhe sulmet për ta eliminuar grupin do të vazhdojnë.

Bëhet e ditur se luftime të ashpra janë duke u zhvilluar edhe në Gazën veriore, si zona e parë objektiv i ofensivës tokësore izraelite.

Ndryshe, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, u ka bërë thirrje palestinezëve që të lënë shtëpitë e tyre dhe të shkojnë në perëndim, duke paralajmëruar se ata ndodheshin në një “zonë të rrezikshme luftimi”. /Telegrafi/

Exit mobile version