Izraeli ka dorëzuar trupat e 80 palestinezëve të vrarë në luftën e Gazës, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë pasi ata u varrosën dhe autoritetet regjistruan detaje për të ndihmuar në identifikimin e mëvonshëm.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet e Gazës po përpiqeshin të kuptonin se kur dhe ku u vranë burrat dhe kush ishin ata.
Dhe zyrtarët izraelitë nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Ministria tha se trupat u dorëzuan nga Izraeli përmes pikës kufitare Kerem Shalom.
Sipas Vakëfit Islamik, ose ministrisë së çështjeve fetare, trupat ishin mbledhur nga pjesa veriore e Gazës.
Bëhet fjalë për një rast të rrallë të kthimit të kaq shumë trupave.
Ata u varrosën të martën në një hendek të gjatë në një varrezë Rafah në jug të enklavës.
“Fotografitë po merren për t’i identifikuar më vonë”, ka theksuar një përfaqësues i Vakëfit Islamik të Gazës.
Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se mbi 21,000 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, me mijëra të tjerë të varrosur nën rrënoja.
Veç kësaj, pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e enklavës janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, shumë disa herë.
Izraeli pretendon se po bën ç’është e mundur për të mbrojtur civilët dhe fajëson Hamasin se i ka vënë ata në rrezik duke operuar mes tyre, gjë që Hamasi e mohon.
Qeveria izraelite thotë se qëllimi i saj është të shkatërrojë Hamasin, pavarësisht thirrjeve globale për një armëpushim. /Telegrafi/