Site icon Telegrafi

Izraeli ka treguar se çfarë pajisjesh kishte përdorur “për të hedhur në erë” tunelin e Hamasit nën spitalin e Gazës

Izraeli ka thënë se ka hedhur në erë një tunel nën një spital të evakuuar në veri të Gazës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, shpërthimi që rezultoi përfshiu ndërtesën dhe shpërndau tym në të paktën tri pika përgjatë një rruge aty pranë në një lagje të qytetit Beit Hanoun.

Dhe siç thuhet më tej, një aksion të tillë, Izraeli e ka kryer duke përdorur një “xhel eksplodues”

“Xheli u përhap dhe shpërtheu gjithçka që na priste në tunel”, citohet të ketë thënë për gazetarët një oficer i ushtrisë në një konferencë në bazën e Forcave Tokësore Zeelim në Izraelin jugor.

Siç vlerësohet, “pastrimi” i rrjetit të gjerë të tuneleve të Hamasit në të gjithë Gazën është një pjesë kyçe e fushatës ushtarake të Izraelit.

Andaj, oficeri tha se “kreativiteti dhe inovacioni vijnë në ndihmë” kur përballen me sfidën e paraqitur nga rrjeti i komplikuar dhe vdekjeprurës.

Lexo po ashtu Çfarë ka ‘gjetur’ Izraeli në spitalin al-Shifa të Gazës?

Në këtë drejtim, përveç “xhelit”, ushtria izraelite shpesh përdor robotë gjurmues dhe teknologji të tjera të operuara nga distanca për të kryer një punë të tillë.

Kjo pasi që politika e Izraelit i ndalon ushtarët të hyjnë në tunele për t’u përballur drejtpërdrejt me Hamasin, pasi ata kanë avantazhin e njohurisë së kalimeve të ngushta, të errëta dhe të paajrosura.

“Ne nuk duam të shkojmë atje poshtë. Ne e dimë se ata na lënë shumë bomba (pajisje eksplozive të improvizuara)”, ka thënë më tej oficeri izraelit.

Ndryshe, javën e kaluar, katër oficerë të forcave speciale u vranë pasi një bombë e tillë shpërtheu.

Izraeli ka thënë më parë se beson se spitalet dhe infrastruktura tjetër civile janë përdorur për të fshehur hyrjen në tunele.

Por Hamasi hodhi poshtë pohimet e Izraelit se ka një qendër komandimi nën spitalin më të madh të Gazës, Al-Shifa, ku forcat izraelite hynë të mërkurën. /Telegrafi/

Exit mobile version