Nga: Mark Mazower, historian / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Në fillim të kësaj jave, Lindja e Mesme ende përpiqej të përballej me vizionin e Donald Trumpit për Gazën si një “Floridë mesdhetare”, ndërsa policia në Jerusalem bastisi dhe shkatërroi librarinë e njohur palestineze, Educational Bookshop, me pretendimin e pabesueshëm se pronarët e saj po prishnin rendin publik. Diplomatë nga disa vende u mblodhën në sallën e gjyqit, për seancën dëgjimore, në një shenjë solidariteti me burrat e arrestuar, ndërsa klientët u dyndën në librari.
Një mbështetje e tillë publike ishte inkurajuese. Megjithatë, shpërdorimi flagrant i pushtetit policor tregoi ndjenjën e mosndëshkimit nga ana e qeverisë: në Izrael, në këto kohë, dhembshuria ndaj palestinezëve është e pakët.
Çështja se kush e meriton dhembshurinë dhe ku është zhdukur ajo është tema e tre librave të fundit të shqyrtuar këtu. Në Izrael, një indiferencë e gjerë publike ndaj vuajtjeve arabe, e dukshme shumë kohë përpara tronditjes ekzistenciale të masakrave të Hamasit më 7 tetor 2023, ishte me siguri një parakusht për shkatërrimin kolektiv të Gazës dhe shkallën e jashtëzakonshme të numrit të vdekjeve të palestinezëve.
Gideon Levy dhe David Grossman hedhin dritë mbi këtë çështje në librat e tyre, duke dhënë përgjigje të ndryshme për pyetjen se çfarë ndryshoi vërtet atë ditë. Ndërkohë, në Amerikë, ku komuniteti hebre është gjithnjë e më i ndarë sipas brezave dhe linjave të tjera, “qëndro me Izraelin” prapë mbetet thirrja më e fortë dhe me ndikimin më të madh politik në Uashington.
Lexo po ashtu:
Nga Gideon Levy:
– Fëmijët janë fëmijë, qofshin në Izrael apo në Gazë: Ata kurrë nuk e meritojnë të vdesin
– Populli i zgjedhur?!
Nga David Grossman:
– Izraeli po bie në humnerë
– Izraeli është në makth: Kush do të jemi, kur të ngrihemi nga hiri?
Nga Mark Mazower:
– Kriza e besimit në Izrael dhe në sionizëm
Ndërkohë, Peter Beinart ngre pyetjen pse mbështetja për Izraelin, për shumë njerëz duket se përjashton pranimin e shkallës së vuajtjeve të palestinezëve. Shqetësimi se nacionalizmi hebraik mund t’i shkaktojë dëme morale vetë judaizmit, është një debat që daton që në fillesat e sionizmit, por rrallëherë ka qenë më shqetësues për disa hebrenj sesa tani.
Libri i Levyt, Vrasja e Gazës [The Killing of Gaza], është një përzgjedhje reportazhesh nga gazetari i Haaretz-it i cili – për më shumë se 40 vjet – ka dokumentuar zvogëlimin e perspektivave për paqe në Lindjen e Mesme. Më shumë sesa ngjarjet, shqetësimi i tij kryesor janë ndjenjat morale – mbi të gjitha, shpërfillja izraelite ndaj vuajtjeve palestineze.
Duke vëzhguar ndërtimin e një tjetër barriere sigurie rreth Gazës në vitin 2018, Levy shkruan se ajo përbën një përpjekje për të fshirë “atë që askush nuk dëshiron të shohë … një kamp gjigant përqendrimi për njerëzit atje”. Në anën izraelite, pranë vendit ku kamionët e çimentos presin në radhë, ai viziton një zonë kampingu. “Ka tavolina, një kënd lojërash, vende për piknik”, shkruan një udhëzues lokal në Google Maps. “Pamje e bukur e Rripit të Gazës”.
Vetë barriera rezultoi të ishte e paefektshme. Disa ditë pas 7 tetorit, Levy shkoi në qytetin Sderot, pranë Gazës verilindore, të cilin e përshkruan si “vendi më i frikshëm” që ka vizituar ndonjëherë; në Kibucin Be’eri ai ndien “kutërbimin e vdekjes”. Ai e kupton trazirën emocionale të shkaktuar në të gjithë Izraelin nga një masakër e paprecedentë në historinë e tij, por frikësohet për atë që do të vijë, ndërsa parashikimi i tij është i zymtë. Palestinezët në Gazë kanë “vendosur se janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për një moment lirie. A ka ndonjë shpresë në këtë? Jo. A do të nxjerrë Izraeli mësime? Jo”.
Vrasja e Gazës tregon se si ëndrrat për hakmarrje kolektive, dikur të pranishme vetëm në të djathtën ekstreme izraelite, janë bërë tashmë kryesore, falë edhe mediave – me pak përjashtime – që sot veprojnë si një tifozeri nacionaliste. Në televizionin izraelit, vetëm njëra palë vuan; pas mizorive barbare të Hamasit, gjithçka lejohet.
Ky është, natyrisht, një fenomen i njohur. Izraeli nuk është vendi i vetëm që është zhytur në nacionalizëm të verbër gjatë luftës, as i vetmi që ka përdorur vrasjet masive në momente të krizës ekzistenciale. Por, çfarë ka ndodhur me IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), oficerët e së cilës po zhvillojnë një prirje për atë që Levy e quan “poshtërim infantil” dhe ushtarët e së cilës bëjnë selfi me rroba të brendshme të marra si plaçkë lufte? Për habinë e tij, Levy nuk mund të gjejë raste të refuzimit të ndërgjegjshëm. Në kodrat e Bregut Perëndimor, kolonët e armatosur bredhin “më të egër se kurrë”, duke frikësuar ose dëbuar fshatarët nga tokat e veta.
Levy ndihet i dëshpëruar nga mentaliteti që pasqyrojnë këto veprime. Çfarë ka përfituar Izraeli nga kjo luftë, pyet ai, përveç “gëzimit për fatkeqësinë e Gazës”? Hamasi nuk është shkatërruar. Nëse lëmë mënjanë ShBA-në, Izraeli është më i izoluar ndërkombëtarisht se kurrë. A ekziston ndonjë ndryshim thelbësor midis të majtës dhe të djathtës kur bëhet fjalë për pushtimin? Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit, mund të fajësohet për pakënaqësitë, por Levy pyet nëse kundërshtarët e tij do të kishin vepruar ndryshe.
Zemra që mendon [The Thinking Heart], një koleksion me ese dhe fjalime të romancierit David Grossman, ndihmon në ndriçimin e llojit të ndërgjegjes morale që Levy vë në dyshim. Si një anëtar i njohur i së majtës, Grossmani ka kritikuar të këqijat e pushtimit dhe gjithashtu ka kundërshtuar planet e qeverisë Netanyahu për reformën gjyqësore. Ai paralajmëron se Izraeli është një “demokraci iluzore”, që mund të shndërrohet lehtësisht në një “iluzion të demokracisë”.
I shqetësuar për efektin gërryes të asaj që izraelitët e quajnë me eufemizëm “situata”, Grossman e sheh vendin të zhytur në një “mohim total të realitetit”. A mund të ekzistojë vërtet një “demokraci pushtuese”? – pyet ai. Kështu, për shpirtin e vendit, ai pozicionohet në një anë të luftës së hidhur mes hebrenjve izraelitë, një betejë që ndan ata që mbeten të lidhur me idenë e paqes nga ata që besojnë vetëm në forcë – e majta e vjetër laike përballë një të djathte nacionaliste fetare të rilindur.
E, megjithatë, duket se 7 tetori ndryshon gjithçka për Grossmanin. Ai shkruan se nën tronditjen e asaj dite, përballë dobësisë së qartë të shtetit dhe ushtrisë, jeta u bë papritur “më e brishtë dhe e pasigurt”. Del se “jo vetëm që Izraeli është ende larg të qenit një shtëpi në kuptimin e plotë të fjalës, por as nuk di si të jetë një fortesë e vërtetë”.
Izraelitët janë bërë të vetëdijshëm, thotë ai, se mund të mos mbijetojnë në “luftën e ardhshme” pa ndihmë nga jashtë. Ai parashikon një rritje të urrejtjes nga të dyja palët dhe një Izrael që do të bëhet “shumë më djathtist, më militant dhe më racist”. Ndoshta vendi do të mund të gëzojë eventualisht një “ekzistencë të plotë, përfundimtare dhe të qëndrueshme”; për momentin, ekziston falimentimi moral i udhëheqjes së tij dhe armiqësia e pashuar e fqinjëve të tij.
Grossmani mund të shqetësohet për atë që po bën vendi i tij – si ndaj të tjerëve ashtu edhe ndaj vetes – megjithatë, ai e sheh gjithashtu Izraelin si viktimë. Ai shkruan se ndërsa okupimi është krim, ajo që bëri Hamasi është krim edhe më i rëndë – një kornizë e ngjarjeve që e kthen krahasimin në justifikim. Grossmani ka marrë pjesë në demonstratat kundër qeverisë dhe ka bërë thirrje për kthimin e pengjeve. Megjithatë, përtej kërkesës për një armëpushim, këto protesta kanë thënë pak gjëra – në mënyrë të drejtpërdrejtë – për vuajtjet e palestinezëve ose nuk e kanë përballuar drejtpërdrejt atë që ka ndodhur në Gazë, ashtu siç do të dëshironte Levy.
Libri Të jesh hebre pas shkatërrimit të Gazës [Being Jewish after the Destruction of Gaza] i Peter Beinartit, kryesisht ka të bëjë me hebrenjtë amerikanë. Beinart preket nga mënyrat mendore dhe retorike të shmangies, që lejojnë shumë prej miqve të tij të pajtojnë lidhjen e tyre të thellë emocionale me Izraelin me etno-nacionalizëm në rritje – të udhëheqjes së tij të djathtë – dhe me dhunën e politikave të tij.
Ai përpiqet të kuptojë sesi ajo që ai e quan “mënyra për të mos parë” ka krijuar një “leje për të mos ta ndier për asgjë” – e cila lehtësisht u shndërrua në kritika të hapura ndaj kujtdo që shprehte shqetësim për atë që po përjetonin palestinezët në Gazë. Beinarti e di, nga përvoja personale, se mospajtimi me një linjë të tipit “qëndro me Izraelin” mund të sjellë mesazhe urrejtjeje dhe sulme verbale. Megjithatë, ai përpiqet të bindë bashkëkombësit e tij hebrenj se ata duhet të bëjnë më shumë për të pranuar gjendjen e rëndë të palestinezëve.
Siç thekson me të drejtë, hebrenjtë amerikanë janë popullsi heterogjene, për sa i përket pikëpamjeve, dhe nuk mund të reduktohen në qëndrimet e organizatave të mëdha hebraike amerikane (si Komiteti Hebraik Amerikan apo Liga Kundër Shpifjes) që pretendojnë të flasin në emrin e tyre. Si roje të vetëemëruara të besimit, këto organizata jo vetëm që mbështesin Izraelin, por gjithashtu përpiqen të frenojnë debatin duke akuzuar për antisemitizëm këdo që flet për të drejtat e palestinezëve. Akuzat për antisemitizëm janë bërë kështu një mënyrë për të mos parë realitetin.
Kjo, vëren Beinart, nuk e bën shumë më të sigurt Izraelin, por ka dëmtuar lirinë e fjalës dhe ka ndihmuar që çështjet hebraike të përfshihen në luftërat gjithnjë e më të ashpra kulturore në Amerikë. “Hebrenjtë nuk janë kurrë përgjegjës për antisemitizmin”, shkruan ai. “Megjithatë, ne jemi përgjegjës për ta luftuar atë me urtësi. Dhe, barazimi i Izraelit me judaizmin bën pikërisht të kundërtën”.
Si një judaist i devotshëm, Beinart e sheh shkatërrimin në Gazë si një moment të së vërtetës për vetë judaizmin. Deri kur, pyet ai, mund të vazhdojnë hebrenjtë ta shohin veten si “viktimat e përhershme të virtytshme të historisë” kur përballen me tmerret që “një shtet hebre ka kryer, me mbështetjen e shumë hebrenjve anembanë botës”?
Ai jep një argument të rëndësishëm, por a do ta dëgjojë dikush? Ndërkohë që palestinezët përballen me kërcënimin e zhdukjes së plotë të ekzistencës së tyre në Gazë, Izraeli duket se po bëhet më i ashpër, më i mbyllur në vetvete dhe më i izoluar. Ndërsa hebrenjtë në mbarë botën po identifikohen gjithnjë e më shumë me shtetin e Izraelit dhe me veprimet e tij, disa prej tyre do të gëzohen, por të tjerë do të vajtojnë vlerat e vjetra dhe besimin që dikur ishte. /Telegrafi/