Telegrafi

Izraeli dyfishon kontrollin në kufirin e Gazës me Egjiptin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur sërish se forcat izraelite nuk do të largohen nga Korridori i Filadelfit – një brez toke me rëndësi strategjike në Gazën jugore përgjatë kufirit me Egjiptin.

Ai u tha mediave të huaja në Jerusalem se është “i hapur” për të shqyrtuar alternativa ndaj pranisë së trupave izraelite përgjatë kufirit Gaza-Egjipt, si pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme të armëpushimit të përhershëm – por se ai nuk e sheh atë të ndodhte.

Gjithashtu, Netanyahu argumentoi se trupat izraelite duhet të qëndrojnë në këtë zonë tampon për të parandaluar kontrabandimin e armëve dhe ndoshta pengjeve izraelite përtej kufirit.

Ndërkohë, sipas Hamasit, vendimi i Netanyahut për të mos u tërhequr nga korridori i Filadelfit është një përpjekje për të penguar marrëveshjen e armëpushimit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, lideri izraelit tha se kushtet për çdo armëpushim të përhershëm duhet të përfshijnë “një situatë ku korridori i Filadelfit nuk mund të depërtohet”.

Ai tha nëse dikush mund të tregonte, “jo në letër, jo me fjalë, por në tokë, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji se ata në fakt mund të parandalojnë përsëritjen e asaj që ndodhi atje, është i hapur për ta konsideruar atë”.

Por, vazhdoi: “Unë nuk shoh që kjo të ndodhë. Dhe derisa të ndodhë kjo, ne jemi atje”.

“Ne kemi vija të kuqe. Ata nuk kanë ndryshuar. Ne do t’i përmbahemi atyre”, shtoi Netanyahu, duke iu referuar Hamasit.

Bëhet e ditur se shefat e tij të sigurisë, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes, raportohet gjerësisht se kanë mbështetur alternativa ndaj pranisë ushtarake përgjatë kufirit, si zgjidhje për të monitoruar aktivitetin atje, ose praninë e forcave aleate.

Netanyahu thotë se ai po ruan sigurinë e Izraelit përballë presionit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Dhe se është Hamasi ai që po bllokon një marrëveshje.

Bisedimet për një armëpushim të përhershëm do të zhvillohen vetëm pasi Izraeli dhe Hamasi të bien dakord për të filluar fazën e parë të një plani me tre hapa, të propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Megjithatë, edhe arritja e marrëveshjes për fazën e parë po rezulton e ndërlikuar, me shumë çështje ende të pazgjidhura. /Telegrafi/