Site icon Telegrafi

Ivanov nuk jep sinjale për tërheqjen e vendimit (Video)

Gjendja e jashtëzakonshme shpallet kur ndodhin fatkeqësi natyrore ose epidemi, vendimin e merr Kuvendi e jo presidenti. Duke iu referuar nenit 125 të Kushtetutës së Maqedonisë, profesori universitar Temelko Ristevski konsideron se Ivanovi nuk ka hapësirë për “skenarë” tjerë dhe konsideron se ka ardhur koha që mandatin t’ia jap partisë e cila ka arritur të sigurojë shumicën, përcjell Telegrafi Maqedoni nga Alsat M.

Presidenti nuk ka bazë ligjore për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Për shkak të protestave, çfarëdo që të jenë ato, nuk mund të përcaktohet gjendje e jashtëzakonshme në Republikë. Mund të pritet pengimi fizik i Kuvendit për t’u thirrur, në kuptim të bllokimit të hyrjeve në Kuvend, që të mos u lejohet deputetëve të hynë, mirëpo kjo tashmë hyn në sferën e përgjegjësisë penale. Këtu ka disa vepra penale të cilave mund t’u nënshtrohen autorët e veprave të tilla, kështu që këtu policia duhet ta pengojë këtë – tha Temelko Ristevski- profesor universitar.

Profesori i sigurisë, Vladimir Pivovarov shprehet se nuk duhet nënçmuar protestat masive të nismës “Për Maqedoni të përbashkët”. Sipas tij, situata në terren mund të përshkallëzohet.

Duke marrë parasysh se çfarë ndodhi deri tani, nuk duhet të na befasojë nëse kemi akte plotësuese vet- interpretuese nga z. Ivanov, ato mund të shkojnë në çdo drejtim. Jam i bindur se do të mbisundojë arsyeja. Institucionet kompetente duhet të veprojnë, siç shprehej ministrja Jankulovska në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, atje gjithçka është thënë në mënyrë të qartë dhe të prerë, pra të mos mundësojnë prishjen e rendit dhe qetësisë publike, kryerjen e veprave tjera penale, mirëpo këtë duhet ta ndërmarrin në mënyrë shumë profesionale – u shpreh Vladimir Pivovarov- profesor universitar.

Nga kabineti i Ivanovit nuk ka ndonjë informacion të ri nëse ky i fundit planifikon që eventualisht të tërheq vendimin për të mos ia dhënë mandatin Zaevit. Ndërkohë, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa për çdo ditë para Kuvendit mbahen protesta të nismës “Për Maqedoni të përbashkët”. /Telegrafi/

Exit mobile version