“Pres që BE të tregojë vendosmëri dhe Maqedonisë t’i jep datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim”, porositi presidenti Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij në forumin “Crans Montana”, që ka filluar sot në Bruksel.
Siç njoftojnë nga AIM, presidenti i Maqedonisë ka theksuar se gjitha standardet dhe partimet evropiane zbatohen përderisa bisedimet janë në rrjedhë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me çdo kapitull të mbyllur, vendi evropianizohet dhe afrohet drejt standardeve të dëshiruara evropiane. Unioni duhet të kuptojë se procesi i zgjerimit nuk është teknik, por para se gjithash çështje politike dhe strategjike. Mesazhi për BE-në është t’i kushtojë vëmendje më të madhe Evropës Juglindore”, tha mes tjerash Ivanov.
Sipas tij, shtyrja e zgjerimit të BE-së ndërlikon gjendjen, ndërsa gjendje “status quo” në integrime, në kombinim edhe me krizën ekonomike dhe rreziqet e sigurisë, e bëjnë Ballkanin dhe Maqedoninë më të pambrojtura.
Në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Bruksel, Ivanov dje realizoi takim me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk./Telegrafi/