Ideja e ministrit të jashtëm austriak Sebastian Kurz për ngritjen e qendrave të refugjatëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, në vend se në shtetet e Bashkimit Evropian, ka hasur në kundërshtim nga ana e zyrtarëve të lartë të Maqedonisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ivanov ka konfirmuar se vendi nuk do të ketë kampe të refugjatëve dhe se Maqedonia mbetet në qëndrimin e mbledhjes së Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në Bruksel në tetor 2015.
“Në kushtet e krizës së emigrantëve, Republika e Maqedonisë si më parë, ashtu edhe në të ardhmen do të veprojë për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare. Çdo vendim që përfshin kujdesin e emigrantëve në vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të BE-së, nuk do të jetë e qëndrueshme, për shkak se këto vende nuk kanë kapacitet dhe burime për të përballuar fluksin e pritshëm të emigrantëve. Në një rast të tillë, është e mundshme që do të vihet në pikëpyetje stabiliteti i vendit. Për këtë arsye, ajo nuk duhet të lejojë në krijimin e kampeve të refugjatëve në vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të BE-së’, ka theksuar Ivanov. /Telegrafi/