Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, u takua sot me gjeneralin Stiven Cray, komandant i Gardës Kombëtare të shtetit të Vermontit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Maqedoni bashkë me një delegacion ushtarak.
Siç njoftojnë nga kabineti Ivanovit, në takim u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin afatgjat dhe të frytshëm midis Ushtrisë së Maqedonisë dhe Gardës Kombëtare të Vermontit, përmes pjesëmarrjes së përbashkët në misionet paqeruajtëse, përmes realizimit të stërvitjeve të përbashkëta, dhe trajnimet dhe edukimet e pjesëtarëve të të dyja armatave, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Presidenti Ivanov e përshëndeti partneritetin strategjik të ARM-së me Gardën Kombëtare të Vermontit duke theksuar se bashkëpunimi i suksesshëm me këtë shtet federal në lëmin e mbrojtjes paraqet një mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të tjera me interes të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e kabinetit presidencial.
Në takim Ivanov ka theksuar se Maqedonia plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësim në NATO dhe se me pjesëmarrjen e saj në misionet paqeruajtëse “de facto” vepron si anëtare e organizatës Veri-Atlantike. Ai shprehu pritjet për një mbështetje më intensive amerikane, në mënyrë që Republika e Maqedonisë të marrë vendin e saj të duhur në NATO.
Në vitin 2012, presidenti Ivanov dekoroi Gardën Kombëtare të Vermontit me çmimin për merita ushtarake./Telegrafi/