Telegrafi

Iu konfiskohen tri vetura të përfshirëve në rastin e vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari

Foto: Arkiv/Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar sekuestrimin e tri veturave të personave që janë të përfshirë në vjedhjen e 2 milionëshit nga Thesari i Shtetit.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku është theksuar se rasti i konfiskimit ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Drenas.

“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, njofton Policia, transmeton Telegrafi.

Katër herë me radhë, zyrtari i Thesarit dyshohet se ka transferuar 2,077,995.90 eurot e shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”, me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronarët e së cilës ndodhen në arrati.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. /Telegrafi/