Telegrafi

Shoqërohen dy persona në Polici, u kapen me 33 mijë euro në veturë në Bresje të Fushë Kosovës

Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor dy persona për veprën shmangie nga tatimi, pasi në automjetin me të cilin po lëviznin u janë gjetur 33 mijë euro.

Rasti ka ndodhur të enjten në ora 21:00 në Fushë Kosovë.

“Mbrëmë rreth orës 21:00, nga zyrtarët policor të stacionit të Fushë Kosovës janë shoqëruar në stacion dy persona të cilëve u janë gjetur dhe sekuestruar një shumë e parave. Sekuestrimi i parave (rreth 33.000 euro) është bërë në rrugën e Pejës, në Bresje, kur personat me automjetin me të cilin po lëviznin janë ndaluar nga policia për një kontroll rutinë”, thuhet një njoftim.

Personat e dyshuar nuk kanë arritur të dëshmojnë prejardhjen e parave të sekuestruara, andaj është iniciuar rast për shmangie nga tatimi.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore në konsultim me prokurorin e shtetit,  janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/