Italia do të dërgojë një sistem të dytë të mbrojtjes ajrore SAMP/T në Ukrainë, i vetmi sistem i prodhuar në Evropë që mund të përgjojë raketat balistike.
E njohur edhe si MAMBA, sistemi është një bateri franko-italiane që mund të gjurmojë dhjetëra objektiva dhe të përgjojë 10 prej tyre menjëherë.
Bëhet e ditur se Roma dhe Parisi bashkërisht dorëzuan sistemin e parë në vitin 2023, por Ukraina u ka bërë vazhdimisht thirrje partnerëve që të ofrojnë më shumë ndihmë me mbrojtjen ajrore, pasi përballet me një breshëri në rritje të sulmeve ruse mbi qytetet dhe infrastrukturën energjetike, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, Italia ka miratuar tetë paketa mbështetëse për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se SAMP/T do të jetë pjesë e një pakete të nëntë në përgatitje, por nuk dha një kornizë kohore për dorëzimin.
Të gjitha dërgesat deri më tani janë mbuluar dhe qeveria nuk e ka bërë kurrë publike listën e saktë të armëve që ka dërguar në Ukrainë. /Telegrafi/