Telegrafi

ISW tregon se pse Rusia nuk e shënoi përvjetorin e pushtimit të Ukrainës

Instituti amerikan për Studimin e Luftës (ISW) shpjegoi se pse autoritetet ruse nuk e festuan përvjetorin e parë të pushtimit gjithëpërfshirës të Rusisë në Ukrainë.

Sipas institutit, autoritetet ruse nuk kishin arritur objektivat e tyre dhe për këtë arsye nuk e kanë shënuar me ndonjë ceremoni “operacionin special ushtarak”.

“Kremlini nuk komentoi përvjetorin e parë të pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, ndoshta sepse Rusia nuk ka arritur asnjë nga qëllimet e saja të deklaruara dhe nuk ka bërë përparime të rëndësishme territoriale që nga korriku i vitit 2022”, thuhet në analizën e ISW.

Ata shtojnë se presidenti rus, Vladimir Putin bëri shumë dalje publike, por asnjëherë nuk e përmendi përvjetorin e pushtimit.

“Presidenti rus Vladimir Putin dhe administrata e tij nuk kanë dhënë deklarata në lidhje me përvjetorin, megjithëse ai ka bërë shumë paraqitje publike në tre ditët e fundit”, thuhet në analizë.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, bëri pretendime nxitëse se Rusia do ta fiton luftën dhe përsëriti se ishte jetike për Rusinë që të arrinte qëllimet e saja për të lëvizur kufijtë sa më shumë që të jetë e mundur, edhe nëse ata do të ishin kufijtë e Polonisë.

“Deklaratat e Medvedev nënvizojnë faktin se Kremlini vazhdon të ndjekë objektivat e tija jorealiste maksimaliste, pavarësisht se nuk ka çfarë t’i ofron popullit rus pas një viti lufte të kushtueshme në Ukrainë”, thuhet në raport.

ISW tha se zyrtarët rusë ka të ngjarë të kërkojnë mbështetje nga prodhuesit kinezë të armëve për shkak të kufizimeve që i janë vendosur industrisë së mbrojtjes së Rusisë. /Telegrafi/