Site icon Telegrafi

ISW: Shefi i Wagnerit ‘po minon’ Putinin

Në analizën e re të situatës në Ukrainë, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) pretendon se themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, ndoshta pa dashje, po minon presidentin rus Vladimir Putin.

Prigozhin publikoi një seri videosh, në të cilat ai pretendon se ka mbërritur në fushëbetejë pranë Bakhmutit, për të folur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, transmeton Telegrafi.

“Ofertat” e Prigozhin për negociata me Zelenskyn nuk duhet të merren seriozisht, pasi ai nuk mban asnjë pozicion zyrtar në Rusi, transmeton Telegrafi.

Megjithatë, ISW thekson se kjo nuk e pengon Prigozhinin të prezantohet si një figurë e shquar politike dhe ushtarake në Rusi. Vërejtjet e Prigozhin ka të ngjarë të jenë një përgjigje ndaj ofertave të Zelensky për të negociuar drejtpërdrejt me Putinin, pasi Rusia të tërheqë forcat e saj nga Ukraina.

Paraqitja e Prigozhinit në vijën e frontit dobëson më tej përpjekjet e Putinit për t’u pozicionuar si një lider lufte, pasi Putini as nuk i ka vizituar territoret nën pushtimin rus, e lëre më të jetë diku afër vijës së frontit.

Një problem shtesë për Kremlinin është se përdoruesit e mediave sociale, ekspozuan ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili pretendoi se kishte vizituar fushëbetejën më 17 dhjetor.

Publikimi i një videoje nga Ministria ruse e Mbrojtjes e udhëtimit të Shoigut në Armyansk, Krime, zbuloi se Shoigu nuk ishte në të vërtetë në vijën e frontit.

Prigozhin nuk e kritikoi drejtpërdrejt Putinin që nuk u paraqit në vijën e parë të frontit, por vizitat e tij dhe të Zelenskyt në vijën e parë, kërcënojnë statusin e Putinit si komandant i përgjithshëm.

Ndërsa Kremlini po përpiqet të përmirësojë reputacionin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Prigozhin po bën përpjekje të mëdha për të legalizuar Wagnerin në Rusi.

Media shtetërore ruse RT publikoi një raport dhjetëminutësh mbi Wagnerin, duke përshkruar krijimin e një organizate paraushtarake nga Prigozhin, si një përpjekje për të mbështetur “interesat ruse” dhe për të mbrojtur “botën ruse”.

Instituti thekson se Prigozhin po përpiqet kështu të çlirojë Wagnerin nga stigma mercenare, në mënyrë që grupi të marrë statusin e një formacioni ushtarak legjitim në Rusi. /Telegrafi/

Exit mobile version