Gjilani ia doli të mposht Feronikelin në shtëpi me rezultat 1-0 në kuadër të javës së dytë në Superligën e Kosovës.
Goli i Gerhard Prognit ishte i mjaftueshëm që skuadra gjilanase të arkëtonte tre pikët e para në elitën e futbollit kosovar.
Trajneri Ismet Munishi ka përgëzuar lojtarët për paraqitjen e treguar, derisa pret që në javët e ardhshme Gjilani të jetë 100 për qind i gatshëm.
“Ne i gëzohemi fitores së parë, derisa edhe Feronikeli ka luftuar shumë në këtë ndeshje. Në këtë fazë janë shumë të rëndësishme fitoret, derisa është një kampionat shumë i luftuar”, ka thënë trajneri i Gjilanit pas ndeshjes për Art Sport.
“Unë përgëzoj angazhimin e skuadrës sime, por edhe ekipin e Feronikelit ku ka luftuar shumë edhe me një futbollistë me pak”.
“Futbollistët e mi kanë punuar shumë në fazën përgatitore, por që ende nuk janë të gatshëm 100 për qind. Por, kur të kompletohemi do të jemi 100% të gatshëm”, përfundoi Munishi.
Gjilani me këtë fitore në dy xhirot e para të Superligës tani ka plotë 4 pikë. /Telegrafi/