Kandidati për deputet nga PDK-ja, Uran Ismaili ka treguar qëndrimin e PDK-së në raport me taksën ndaj mallrave serbe.
Ismaili në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Veseli e ka treguar qëndrimin se taksa ishte vendim politikë si kundërmasë ndaj vendimeve të Serbisë por ka përmendur edhe raportet me SHBA-në dhe BE-në.
Ai ka thënë se më mirë është të ruhen raportet me partnerët ndërkombëtarë se sa inatet ndaj Serbisë, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Ne shtetin e kemi forcuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse taksa del si kundërpeshë ndaj interesave tona me SHBA-në, atëherë duhet parë cila është zgjedhja më e mirë”.
Kandidati për deputet nga PDK-ja ka thënë se Veseli ka propozuar edhe masën e reciprocitetit e që sipas tij është masë edhe më e rëndë se taksa.
“Në reciprocitet ne kemi pasur edhe mbështetjen nga faktori ndërkombëtarë. Në një anë reciprociteti na forcon raportet me SHBA-në e në anën tjetër dëmton edhe më shumë Serbinë [se taksa]. Pra cili është vendim më i mirë strategjik për Kosovën është shumë e qartë”.
Ismaili thotë se megjithatë në PDK mund të ketë qëndrime të ndryshme për taksën, por sipas tij qëndrimi i Veselit është qëndrim i PDK-së./Telegrafi/