Site icon Telegrafi

A ishte në dijeni AKI dhe Kurti për planin e vrasjes? Përgjigja e Kryeministrisë dhe gjithçka rreth rastit

Një ditë më parë u raportua se gjatë vitit 2021 ishte bërë një plan për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti.

Kjo u raportua nga “A2 News” pas zbulimit të një dokumenti publik nga hakerët, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në vitin 2021, Gledis Nano.

Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës.

E për këtë të hënën ka reaguar edhe Zyra e Kryeministrit, duke thënë se kryeministri Albin Kurti dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë kanë qenë të njoftuar për këtë rast.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka qenë i njoftuar për këtë rast nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në njoftim.

Në dokumentin e publikuar theksohet se Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë ka marrë informacione për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të Ismet Haxhës, ish-anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-deputet.

I dyshuari është Prek Kodra, shtetas shqiptar. Në dokument theksohet se ai ka aftësi të mira në përdorimin e snajperëve. Ai dyshohet se është përfshirë në disa vrasje në Kosovë dhe Mal të Zi. Ndërkohë, Kodra dyshohet se jeton në Shkodër, ndërsa vepron në Tropojë, Ferizaj dhe Deçan të Kosovës.

Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm

E lidhur me planin për atentat nga kryeministrit Kurti, ish-inspektori i përgjithshëm në AKI, Shkëlzen Sopjani thotë se informacioni për këtë nuk është i ri.

Sopjani në “Debat Plus” në RTV Dukagjini theksoi se një informacion i tillë ka qenë publik edhe vitin e kaluar.

“Kryeministri kishte rritur masat e sigurisë. Kjo gjë ishte bërë publike edhe në media”.

Ai thotë se personi që është përfolur se do të kryejë atentatin nuk ishte i profilit të lartë dhe dyshon se do të kishte mundësi për kryerje të atentatit.

“Personi i tillë nuk është as në paraburgim e as që janë marrë veprime ndaj tij. Personit në fjalë i janë bërë bastisje dhe në bazë të informatave nuk është se i është gjetur snajper. Atij i është gjendur vetëm një pushkë gjuetie”.

Autoritetet e sigurisë kanë marrë disa masa të mira duke shtuar sigurinë e kryeministrit dhe ka mbaruar me kaq.

“Po të ishte diçka më serioze do të kishte më shumë veprime nga prokuroria, drejtësia e kështu me radhë. Kjo temë nuk do të duhej bërë shumë mediatike për vet faktin se është ngjarje e vitit të kaluar. Por ky informacion që ka rrjedhë pas sulmit të hakerëve e risolli vëmendjen”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe dy të tjerëve, do t’i konventonte vetëm Serbisë. Ai ka theksuar se një vrasje e tillë siç do të ishte ajo e kryeministrit të vendit, nuk do t’i konvenonte as politikës së Shqipërisë e as Kosovës.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë se atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe dy të tjerëve, do t’i konventonte vetëm Serbisë.

Islami në RTV Dukagjini ka theksuar se një vrasje e tillë siç do të ishte ajo e kryeministrit të vendit, nuk do t’i konvenonte as politikës së Shqipërisë e as Kosovës.

Kjo për shkak se siç thotë Islami do të çonte në destablizim të vendit.

“Lajmi është bombastik dhe koha është e shkurtë dhe unë nga prizmi im mund të them se kjo do t’i konventonte vetëm armikut tonë Serbisë, jo sepse dua t’ia atribuoj atë sepse mund të mos jetë kështu por politikës shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë nuk do t’i konventonte vrasja e tillë sepse do të bëhej një destabilizim i vendit dhe qëllimi është ky, që të bëhet një hakmarrje në mes shqiptarëve të Kosovës”, është shprehur Islami.

Megjithatë, ajo se çfarë ka rëndësi sipas Islamit është se planifikimi i vrasjes ka dështuar.

“Ë rëndësishme është që planifikimi i vrasjes ka dështuar për shkak të angazhimit të institucioneve inteligjente qoftë të Shqipërisë qoftë të Kosovës”, shtoi ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se e rëndësishme është që strukturat e shtetit kanë gjurmuar dhe kanë hetuar në këtë drejtim.

Ndërkaq, Islami ka folur edhe për vonesën e publikimit të lajmit.

Ai ka thënë se ngjarja e ndodhur pothuajse një vit më parë, tashmë e ka humbur fuqinë e asaj kohe kur ka pasur tendenca për planifikim të vrasjeve të Kurtit dhe dy të tjerëve.

“Pyetja shtrohet pse bash në këtë kohë plasohen lajmet e tilla ku rëndësia e atij lajmi tashmë veç se ka humbur fuqinë e vet. Madje është dashur që kjo pas një kohe të gjatë të dilet në opinion”, ka thënë Islami. /Telegrafi/

Exit mobile version