Ambasada amerikane në Kosovë sonte ka organizuar pritje për nder të 248-vjetorit të Pavarësisë së ShBA-së.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin personalitete politike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.
Në fjalën e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ata janë mbledhur për festuar 4 korrikun e vitit 1776.
Hovenier tha se është krenar që vendi i tij është themeluar në bazë të idesë se “të gjithë burrat dhe të gjithë gratë janë krijuar të barabartë” dhe se “midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë.
Ai theksoi se edhe më tutje, shoqëria amerikane vazhdon të udhëhiqet prej parimit të barazisë e lirisë.
“Më 4 korrik 1776, etërit tanë themelues – që të gjithë burra – ia përkushtuan jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë parimeve dhe vlerave që vazhdojmë t’i ruajmë dhe përpiqemi t’i jetojmë edhe sot. Jam krenar që vendi im u themelua në bazë të idesë se “të gjithë burrat (dhe do ta shfrytëzoj të drejtën e ambasadorit dhe të them edhe “të gjitha gratë”) janë krijuar të barabartë, se janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Këto janë fjalë të shenjta për amerikanët, por edhe ide të gjalla për të cilat vazhdojmë të veprojmë. Madje, edhe pse jo gjithmonë as ne e as etërit tanë themelues nuk i kemi përmbushur idealet tona më të mëdha, ne vazhdojmë ta përkufizojmë veten dhe shoqërinë tonë dhe të udhëhiqemi prej parimit të barazisë, lirisë dhe të qeverisë, e cila e merr autoritetin dhe pushtetin e saj përmes „miratimit të të qeverisurve”, tha Hovenier.
Përveç kësaj, Hovenier tha se ShBA është krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës për të vendur paqe e siguri.
Ai garantoi se ShBA ishin dhe do të jenë me popullin e Kosovës, për cka shtoi se mbështetja amerikane është apartiake.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës që një çerek shekulli. Dëshiroj që ta dini se përkushtimi i SHBA-së është afatgjatë dhe apartiak. Shpresojmë të shohim përparim më të madh për të mirën e tërë popullit të Kosovës. Dhe unë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara ishin, janë dhe do të jenë me popullin e Kosovës derisa ecni përpara për ta përmbushur këtë vizion”, u shpreh Hovenier.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se Dita e Pavarëisë nuk është ditë krenarie vetëm për amerikanët, por edhe për popullin e Kosovës e të gjithë në mbarë botën.
Duke kujtuar rolin e ShBA-së në çlirmin e vendit, Osmani tha se 25 vjet më parë bota demokratike e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërhyri për t’i dhënë fund vuajtjeve të tmerrshme të regjimit serb, për cka shtoi se fal kësaj populli i Kosovës përjetoi bekimet e lirisë e të paqes.
“Siç e them shpesh kjo ditë e Pavarësisë nuk është vetëm një ditë krenarie për amerikanët, është një ditë mirënjohjeje të pamasë edhe për ne këtu në Republikën e Kosovës, po ashtu edhe për të gjithë miqtë tuaj në mbarë botën. Në Kosovë shembulli juaj ndriçon rrugën tonë çdo ditë, duke nxitur aspiratat tona dhe duke forcuar vendosmërinë tonë për të krijuar një të ardhme të përcaktuar nga liria dhe drejtësia. Tek ju, ne nuk shohim vetëm aleatin tonë më të madh, por gjejmë gjithashtu udhëzim dhe udhëheqje ndërsa punojmë me këmbëngulje për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë. Ky vit shënon gjithashtu një moment historik të rëndësishëm në aleancën e qëndrueshme midis dy vendeve tona. 25 vjet më parë, bota demokratike e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërhyri për t’i dhënë fund vuajtjeve të tmerrshme njerëzore të kryera nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Udhëheqja shembullore e Shteteve të Bashkuara siguroi që populli i Kosovës të përjetojë më në fund bekimet e lirisë dhe paqes së bashku me përgjegjësitë e mëdha që vijnë me të”, tha Osmani.
E para e vendit gjithashtu u shpreh se e bindur se ardhmja mes dy vendeve ka kapituj lavdie përpara.
“Kontributi juaj ka qenë i rëndësishëm në arritjen e pavarësisë sonë, konsolidimin e demokracisë sonë, forcimin e aftësive tona mbrojtëse dhe ekonominë tonë, si dhe në rritjen e vazhdueshme të pozitës sonë ndërkombëtare. Ne ndajmë një të kaluar domethënëse, por jam e sigurt se shumë kapituj të tjerë lavdie janë përpara nesh”, deklaroi Osmani.