Site icon Telegrafi

Ish-zyrtari i FSB-së: Shumë në ushtrinë ruse janë të pakënaqur me Putinin, peshkut i vie era nga koka

Disa ushtarë rusë janë të pakënaqur me presidentin Vladimir Putin dhe menaxhmentin e ushtrisë ruse, për shkak të keqmenaxhimit të taktikave luftarake në luftën e Ukrainës, ka bërë të ditur blogeri rus dhe njëherit ish-zyrtari i lartë i FSB-së ruse, Igor Girkin pas një  vizite që e bëri në zonat e luftës.

Kritikat publike në drejtim të Putinit janë diçka e rrallë në Rusi, edhe pse blogerët haptazi flasim për luftën në Ukrainës, në veçanti për humbjet e mëdha të ushtrisë ruse në rajonin Kharkiv, transmeton Telegrafi.

Igor Girkin, nacionalist rus dhe ish-zyrtar i lartë i Shërbimit Sekret rus FSB-ja, që kishte ndihmuar shumë Rusinë në aneksimin e Krimesë në vitin 2014, si dhe organizoi grupet e milicisë pro-ruse në lindje të Ukrainës, ka thënë se ekziston një pakënaqësi në rritje për elitën politike dhe ushtarake ruse.

Girkin tha se “peshkut i vie era nga koka”, dhe se në ushtrinë ruse duhet bërë reforma dhe njerëz kompetent që do të mund të udhëhiqnin një fushatë të suksesshme ushtarake.

Girkin tha se disa në nivele të mesme të ushtrisë kanë qenë të hapur për pakënaqësinë e tyre me ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe madje edhe Putinin.

Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk ka komentuar deklaratat e Girkinit, i cili disa herë kritikoi Shoigun për shkak të humbjeve të mëdha në luftën e Ukrainës. /Telegrafi/

Exit mobile version