Telegrafi

Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë vihet nën hetim për tre vepra penale

Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Emri i Ahmetajt është shënuar në regjistrin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime për tre vepra pena si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Ahmetaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e impianteve të plehrave, të njohura si inceneratorët.

Pak ditë më parë, ai kundërshtoi kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së tij, si dhe në banesën e ish-gruas.

Në ankimim citohej se kontrollet janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.

Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente. /Telegrafi/