Telegrafi

Ish-zëdhënësja e presidentit ukrainas publikon pamjet dramatike që tregojnë luftimet në Bakhmut të Ukrainës

Iulia Mendel, ish-zëdhënësja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, postoi në Twitter një video dramatike të luftimeve në rrugë në Bakhmut.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një qytet në Ukrainën lindore që ushtria ruse dhe mercenarët e Wagner janë përpjekur dëshpërimisht ta marrin prej muajsh.

“Në periferi të Bahmut, anëtarët e rojës kufitare zmbrapsën një tjetër sulm rus. Katër të vrarë dhe pesë të plagosur”, thuhet në postimin e Iulia Mendel në Twitter.

Pamjet vijnë në kohën kur, sipas Kievit, forcat ruse po humbasin më shumë trupa se në çdo moment që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Dhe një ekspert ka thënë se Moska “po hedh në front ushtarë të trajnuar keq” në tentimin e saj për të përparuar në rajonin e Donbasit “me çdo kusht”, përcjell Telegrafi.

Forcat e armatosura ukrainase thanë të shtunën se, gjatë ditës së mëparshme, 1,140 trupa ruse kishin vdekur në atë që ishte numri më i lartë që nga fillimi i agresionit më 24 shkurt 2022. /Telegrafi/