Ish-shefi ekzekutiv i Starbucks, Howard Schultz ka njoftuar se e ka marr seriozisht idenë që të kandidoj për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2020.
Schultz në një intervistë për The New York Times, tha se do të udhëtojë në të gjithë vendin gjatë tre muajve të ardhshëm, gjatë së cilës ai do të vendosë nëse do të deklarojë zyrtarisht kandidaturën e tij.
“E dua vendin tonë dhe e kam marr seriozisht idenë që të kandidoj për president si një kandidat i pavarur”, tha Schultz.
Ai tha se presidenti aktual Donald Trump po vuan nga mungesa e kualifikimeve dhe vuri në dukje që si demokratët ashtu edhe republikanët nuk po kontribuojnë në atë që po ndodh në Amerikë.
“Jo vetëm fakti se ky [Donald Trump] nuk është i kualifikuar për të qenë president, por fakti se të dyja palët vazhdimisht nuk po bëjnë atë që është e nevojshme në emër të popullit amerikan, janë të angazhuar çdo ditë në politikën hakmarrëse. Kur dëgjoj njerëzit që përkrahin kolegj falas, kujdes shëndetësor falas dhe një punë falas qeveritare për të gjithë, në krye të borxhit prej 21 trilionë dollarësh, pyetja është se si ne paguajmë për të gjitha këto dhe nuk po e falimentojmë vendin?”, tha ai, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.
Kandidatura e Schultzit i ka vënë në lëvizje demokratët, të cilët po paralajmërojnë ish-shefin e Starbucks se një kandidaturë e pavarur mund t’i rris mundësitë e fitores së Trump në vend që t’i dëmtojë ato.
Mirëpo, ai tha se mungesa e përkatësisë partiake do të ishte një “fitore” për amerikanët.
“Dua ta shoh popullin amerikan të fitojë. Dua të shoh fitoren e Amerikës. Nuk më intereson nëse jeni demokrat, i pavarur, liberal, republikan, më sillni idetë tuaja dhe unë do të jem një person i pavarur që do t’i përqafoj këto ide, sepse nuk jam në asnjë mënyrë në koalicion me asnjë parti”, tha ai.
Schultz ka qenë shef ekzekutiv i Starbucks, kompanisë së njohur për shitjen e kafesë, derisa u largua në muajin prill të vitit 2017. /Telegrafi/