Telegrafi

Ish-reprezentuesi i Kosovës, Sinan Bytyqi: Diplomova për zbulimin e talenteve, i gëzuar për sfidën e re te Man City

Sinan Bytyqi ka ndarë disa lajme të mira, pasi ka treguar se është diplomuar për zbulimin e talenteve në futboll dhe tani është i gëzuar se do ta fillojë sfidën e re tek skuadra e Manchester Cityt.

Ish-mesfushori nga Kosova ishte njëri nga talentet më premtues të ‘Dardanëve’, por edhe tek kampionët anglez që kishin besim tek ai.

Megjithatë, ëndrra e tij u ndal në gjysmë pasi Bytyqi u detyrua ta lë futbollin në moshë të re, si 22-vjeçar.

Lexo po ashtu Rrëfimi ekskluziv i Bytyqit si skaut i Cityt: Sëmundja në zemër, zbehja e ëndrrës, angazhimi i ri dhe mosinteresimi nga FFK-ja

Pas kontrolleve mjekësore te City, u konstatua se Sinani kishte probleme me zemër, ndërsa në atë kohë u rikthye në Austri te familja e tij dhe për afër një vit priti një vendim përfundimtar nëse do t’i lejohej të luante futboll ose jo.

Bytyqi gjatë kohës sa ishte lojtar i Man Cityt (Foto: Getty Images/Telegrafi)

Por, kjo nuk ndodhi dhe Bytyqi nuk u kthye kurrë fushave të blerta. Pas këtij vendimi, klubi anglez Man City i qëndroi afër duke i dhënë një rol për zbulimin e talenteve dhe ndjekjen e lojtarëve të tyre në huazim.

Tani Bytyqi ka diplomuar në këtë lëmi dhe ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta ndarë këtë lajm të gëzueshëm.

“Tung njerëz, jam i gëzuar me të vërtetë për të ndarë disa lajme të mëdha!”

“Mbarova diplomimin për (zbulim talentësh), pasi kam marrë një rol të ri si shef i zbulimit të talenteve për Manchester Cityn në rajonin e Austrisë dhe Zvicrës”.

“Po shikoj përpara për këtë sfidë të re dhe nuk mund të pres për të filluar”, ka shkruar Bytyqi në profilin e tij në Instagram.

Lexo po ashtu Rrëfimi i dhimbshëm i futbollistit të Kosovës, Sinan Bytyqi: Problemet në zemër më detyruan ta ndërpresë karrierën, tani jam i lumtur me punën time te City

Ndryshe, djaloshi nga Kosova ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Austrisë nga U17 deri më U21, ku në 23 paraqitje ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë 12 asistime.

Për ekipin e dytë të Manchester Cityt, Sinani ka zhvilluar 59 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 10 gola dhe ka bërë 17 asistime në katër vite sa qëndroi në akademinë e gjigantit anglez  /Telegrafi/

Sinan Bytyqi, Bersant Celina dhe Arber Zeneli