Site icon Telegrafi

Ish-pjesëtari i forcave speciale amerikane vritet në Bakhmut

Një ushtar i pensionuar i forcave speciale amerikane është vrarë nga artileria ruse në qytetin ukrainas Bakhmut në lindje të vendit, të cilin ushtria e rregullt ruse dhe mercenarët e Wagnerit po tentojnë ta futin nën kontroll nga fillimi i luftës.

Vdekja e tij u konfirmua nga një mik i ngushtë dhe themelues i një organizate jofitimprurëse që vepron në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

“Rreshteri në pension Nicholas Maimer ishte në një ndërtesë në Bakhmut që u shemb pasi u godit nga zjarri i artilerisë”, tha koloneli në pension Perry Blackburn, themeluesi i organizatës jofitimprurëse AFGFree, me të cilin Maimer punonte në Ukrainë.

Lexo po ashtu Ukraina pretendon se kanë çliruar 20 kilometra katrorë rreth Bakhmutit

“Ukrainasit që ishin me Maimer besojnë se ish-pjesëtari i njësisë elitare amerikane, ngeci në ndërtesën pjesërisht të shkatërruar ose u vra nga një breshëri e zjarrit të artilerisë ruse”, shtoi Blackburn.

“Ata u futën në atë pozicion dhe më pas filloi zjarri i rëndë i artilerisë. Ndërtesa filloi të shembet. Shumica e amerikanëve dhe ukrainasve arritën të shpëtonin, por Nick nuk ia doli”, tha për CNN miku i Maimer, një tjetër amerikan.

Konfirmimi i vdekjes së Maimer erdhi pasi Yevgeny Prigozhin, themeluesi i kompanisë ushtarake private ruse Wagner, publikoi një video që ai pretendonte se tregonte trupin e amerikanit të vrarë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version