Telegrafi

Ish-ministrja e Jashtme publikon momentin kur anëtarët e KQZ-së votojnë pro ndarjes së 360 mijë eurove për Listën Serbe

Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e mbajtur më 12 janar, mori vendim vendim për ndarjen e mjeteve të fondit për mbështetjen e subjekteve politike për këtë vit.

Shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro.

Nga kjo shumë, Listës Serbe iu ndanë 360 mijë euro.

E një vendim i tillë është duke u kundërshtuar vazhdimisht nga ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla e ka cilësuar skandaloz këtë vendim, duke shtuar se Lista Serbe e cila planifikoi sulmin në Banjskë duhet të shpallet  jokushtetuese dhe organizatë terroriste.

Ajo madje ka thënë se ky vendim i KQZ-së është “aministi” për kriminalitet.

Lexo po ashtu Haradinaj-Stublla: Vendimi i KQZ-së për financimin e Listës Serbe, 'amnisti' për kriminalitet

Së fundi ish-ministrja ka publikuar pamjet nga mbledhja e KQZ-së ku edhe është votuar ndarja e këtyre mjeteve për Listën Serbe.

Në video shihet se vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve kalon me shumicë votash.

“Ja edhe momenti i votimit (pa debat) nga anëtarët e KQZ-së (dhe përfaqësuesit e partive politike) për lartësinë e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike, përfshi buxhetin për organizatën kriminale Lista Serbe në lartësi prej 360 mijë eurosh.

Mos të harrojmë që Ministri, Xhelal Sveçla ka deklaruar: “Lista Serbe morri përgjegjësi politike për terroristët kur shpalli tri ditë zie.”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në “X”.

Lexo po ashtu KQZ rrit shumën e përkrahjes për partitë parlamentare, 15 subjekte përfitojnë rreth 5 milionë euro

Ish-ministrja një ditë më parë ka theksuar se vendimi i KQZ-së duhet të rishikohet, dhe forca e ligjit të Republikës së Kosovës duhet të ndalojë organizatën kriminale “Lista Serbe” nga aktiviteti në territorin e Kosovës, e po ashtu të parandalojë certifikimin dhe pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e ardhshme në komunat veriore nëse nuk duam t’ua servojmë me duart tona “parathënien për aneksimin” e veriut të Kosovës. /Telegrafi/