Telegrafi

Ish-legjenda e Francës sulmon Tchouamenin pasi ky i fundit u ankua për kalendarin e ngarkuar të ndeshjeve

Ish-futbollisti i Francës, Jerome Rothen, i ka bërë thirrje Aurelien Tchouamenti t’i përkushtohet më shumë punës së tij, pasi ylli i Real Madridit u ankua për kalendarin e ndeshjeve.

Mirëqenia e lojtarëve ka qenë një temë e madhe bisede në futboll tani e disa vite, me orarin për ndeshjet me kombëtare që ka ardhur në qendër të vëmendjes kohët e fundit.

Krijimi i Ligës së Kombeve, Kupa e Botës për Klube në mes të sezonit dhe pushimi me kombëtare me të përfunduar sezoni, ka zemëruar të gjithë lojtarët që mendojnë se duhet të pushojnë, në vend që të përfaqësojnë vendin e tyre ose të luajnë në ndeshje miqësore.

Lëndimet duket se janë më të shpeshta në ditët e sotme dhe lojtarët e drejtuesit po ia atribuojnë këtë numrit të madh të ndeshjeve që po detyrohen të luajnë.

Në një intervistë pak kohë më parë, mesfushori francez Tchouameni tha se lojtarët duhet të “bëjnë ose thonë diçka” për t’u marrë me sasinë e madhe të ndeshjeve në një sezon.

“Natyrisht, ne po luajmë shumë ndeshje, kjo po çon në lëndime. Në një moment, lojtarët duhet të bëjnë ose të thonë diçka. Këto ditë, është e rrallë të kesh një ndeshje në javë. I takon autoriteteve dhe lojtarëve që të rrahin grushtat në tavolinë”, ka thënë Tchouameni.

Ish-anësori i Francës dhe PSG-së, Rothen, i është përgjigjur Tchouamenit, duke i thënë atij të përdorë kohën e lirë për t’u rikuperuar në mënyrë më efektive, duke pasur në thelb të gjithë jetën e tij e cila rrotullohet rreth profesionit.

“Doni më pak ndeshje? Epo, ju do të merrni më pak para atëherë. Unë zakonisht i mbroj lojtarët por tani unë jam kundër Tchouamenit. Duhet thjesht t’i përkushtohesh punës, paguhesh për të… të jesh i mirë në fushë, të përgatitesh”, është shprehur Rothen në një intervistë për RMC Sport.

Jo vetëm Tchouameni ka adresuar këtë çështje, pak kohë më parë edhe kapiteni i Liverpoolit, Virgil Van Dijk, u ankua duke thënë se kalendari në Angli është shumë i ngarkuar./Telegrafi/