Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi gjatë një interviste për Telegrafin ka theksuar se Qeveria nuk po shpenzon asnjë cent dhe se ka një bllokadë financiare.
Rukiqi shton se ka tendencë të krijohet një rezervë buxhetore.
“Ajo që ka ngecur është se Qeveria nuk shpenzon asnjë cent, tashmë disa muaj. Nëse flasim për ndalje të një gjakderdhje financiare, nuk do të thotë të ndalen të gjitha projektet. Ka tendencë të krijohet një rezervë buxhetore, pra ka një bllokadë”, tha Rukiqi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës po heziton në nisjen e projekteve të caktuara.
“Qeveria nuk pranon, ose së paku deri më sot, nuk ka lëvizur me rishikimin e kontratave, që ka ndodhur në çdo vend. Ky rishikim për shkak të ndryshimit të çmimeve. Po shohim hezitime për të shkuar në projekte të caktuara. Siç ka qenë projekti me gazin, e shumë projekte të tjera madhore, të cilat do të ishin me vlerë të shtuar, për ekonominë e vendit, për punësimin dhe për adresimin e krizës”, theksoi ai.
Ai ka shtuar se Qeveria duhet urgjentisht ta ketë një plan për zhbllokimin e investimeve kapitale.
“Vendit i duhet një lëvizje më e shpejtë e parasë dhe nuk pritet që kjo të vjen nga remitencat apo nga konsumi i brendshëm, duhen edhe investimet e brendshme. Është urgjente që të ketë një plan të Qeverisë që të ketë zhbllokim të investimeve kapitale”, ka shtuar Rukiqi.
Për ish-drejtuesin e OEK-ut, Qeveria e Kosovës nuk po e pranon që ka krizë ekonomike në vend, përkundër ngritjes së çmimeve të produkteve bazike në vend.
Po ashtu, Rukiqi është shprehur se nuk po shihen veprime konkrete rreth krizës energjetike.
Ndryshe, Rukiqi në këtë intervistë ka folur për përfundimin e mandatit të tij në krye të Odës Ekonomike, duke treguar edhe sfidat gjatë këtij mandati. Sipas tij, pandemia COVID-19 dhe zgjedhjet e shpeshta e ndërrimi i qeverive kanë qenë sfidat kryesore për komunitetin e bizneseve në Kosovë. /Telegrafi/