Telegrafi

Ish-kryeministri i Suedisë, Bildt: Nuk pres përparim e as përshkallëzim të shpejtë mes Kosovës e Serbisë

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se nuk pret që tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë të çojnë në përshkallëzim të situatës, por as të zgjidhen shpejt.

Në një intervistë dhënë për mediumin ‘GZERO’, Bildt është pyetur nëse zhvillimet e fundit mes dy vendeve janë fillimi i diçkaje më shumë, ndërsa ai është përgjigjur duke thënë “jo domosdoshmërisht”.

“Është një vazhdimësi e vështirësive që kanë qenë aty, që kanë të bëjnë me zbatimin e një marrëveshjeje të para disa viteve mbi targat dhe për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Dhe kjo përkon me përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për të gjetur një zgjidhje më afatgjate ndaj problemit”.

“Nuk pres përparim të shpejtë. Nuk pres ndonjë përshkallëzim të shpejtë. Kështu është zakonisht Ballkani”, ka deklaruar ai.

Bildt, ish-ministër i Jashtëm i Suedisë, ka folur edhe për luftën në Ukrainë, çlirimin e Khersonit dhe tërheqjen e trupave ruse nga ky qytet.

I pyetur se çfarë rëndësie ka që Putini të humbasë qytetin e Khersonit, tha se “ai humbi së pari betejën për Kievin menjëherë pasi nisi pushtimin e tij”.

“Pastaj ai humbi betejën për Kharkiv, qyteti i dytë më i madh ukrainas. Dhe tani ai humbi qytetin absolutisht kyç të Khersonit, ku kishte thënë edhe se ishte një dalje në Rusi. Ai mungon totalisht në këtë çështje në mediat ruse, duke ia fajësuar të gjitha ushtrisë, por është një pikë kthese në luftë. Shumë e madhe. Më shumë për të ardhur”, ka shtuar Bildt. /Telegrafi/