Telegrafi

Ish-komandanti i KFOR-it, Mike Jackson: Nuk mund të përjashtohet që konflikti në Ukrainë të nxit Luftën e Tretë Botërore

Ish-komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë gjatë vitit 1999, Mike Jackson, i cili ishte komandanti i parë i trupave të Aleancës Veriatlantike, nuk e ka “përjashtuar mundësinë” që konflikti në Ukrainë të nxit Luftën e Tretë Botërore.

Gjenerali Sir Mike Jackson, njëherit ish-kreu i ushtrisë britanike, ka theksuar se pushtimi rus në Ukrainë e ka futur botën në një “territor të paeksploruar”, transmeton Telegrafi.

Sir Mike, i cili udhëhoqi ushtrinë gjatë ndërhyrjes ushtarake në Irak gjatë vitit 2003, ka bërë të ditur se veprimet e Moskës nënkuptojnë se rreziku i vendosjes së armëve bërthamore është rritur potencialisht.

Lexo po ashtu Raketat ruse godasin një qendër tregtare në Kiev, kamerat e sigurisë kapin momentin rrëqethës

Që të dyjat, Kremlini dhe anëtarët e aleancës së NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, posedojnë raketa bërthamore.

Duke folur për GB News gjatë të dielës, 77-vjeçari është pyetur nëse mendon se beteja mes Ukrainës dhe Rusisë mund të eskaloj në luftë të Tretë Botërore, ai tha: “Nuk mund ta përjashtoj. Është e vështirë të thuhet”.

“Situata është shumë delikate në kuptimin perëndim-lindje dhe të ardhmen e saj. Është një territor i paeksploruar. Fal zotit nuk kemi parë përdorim të armëve bërthamore që nga viti 1945”, ka thënë gjenerali i pensionuar britanik.

Lexo po ashtu Pse Rusia po këmbëngul aq shumë për ta marrë nën kontroll Mariupolin?

“Por, sinqerisht nuk mund ta them me bindje se mund t’i mbijetojmë një shekulli tjetër pa përdorimin e tyre”, shtoi ai.

Sir Mike i është referuar deklaratave të kryeministrit britanik Boris Johnson, se Britania nuk do të duhej të përfshihej drejtpërdrejtë në konfliktin në Evropën Lindore – ku autoritetet ukrainase vazhdimisht kanë bërë thirrje që NATO të jetë një lloj polici i një zone të ndalim-fluturimit.

Mike Jackson ka qenë komandanti i parë i forcave të NATO-s në Kosovë, dhe nënshkruesi i marrëveshjes së Kumanovës kur forcat serbe u detyruan të largohen nga vendi. /Telegrafi/