Telegrafi

Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë: Ukraina do të çlirojë Krimenë deri në gusht

Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, ka bërë një parashikim të guximshëm se si do të zhvillohet lufta, duke sugjeruar se Ukraina është në rrugën e duhur për të çliruar gadishullin e Krimesë nga pushtimi rus deri në gusht 2023.

Sky News shkruan se “është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e një ngjarjeje të tillë, me kusht që të ndodhë realisht”, transmeton  Telegrafi.

Kujtojmë se në vitin 2014, Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin tani e përdor për të nisur sulme ajrore dhe të tjera kundër Ukrainës.

Humbja e territorit që e kontrollonte edhe para pushtimit total të Ukrainës, i cili filloi në shkurt të këtij viti, do të ishte një poshtërim i madh për Vladimir Putinin.

“Ushtria ukrainase do të vazhdojë të godasë selitë ruse dhe linjat e furnizimit dhe komunikimit në muajt në vijim, për të vendosur skenën për fazën vendimtare të luftës – çlirimin e Krimesë. Unë pres të çlirojë Krimenë deri në gusht”, shkroi Hodges në Twitter. /Telegrafi/