Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder, ka deklaruar se Rusia dëshiron të gjej një zgjidhje përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Schroeder, mik i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, theksoi se marrëveshja e muajit të kaluar për drithërat, mund të ofrojë gjasa për një gjë të tillë, transmeton Telegrafi.
“Lajm i mirë është se Kremlini dëshiron të gjej një zgjidhje përmes negociatave”, tha Schroeder gjatë një interviste dhënë për RTL/ntv – duke pranuar se javën e kaluar është takuar me Putinin në Moskë.
“Suksesi i parë është marrëveshja për grurin, ndoshta mund të lëvizin gjërat ngadalë, por mund të ndodhë armëpushimi”, shtoi ish-kancelari gjerman.
Megjithatë, Schroeder pranoi se zgjidhja për probleme kritike siç është aneksimi i Krimesë do të kërkojë kohë – “ndoshta jo për 99 vite, sikurse Hong Kongu, por në gjeneratën e ardhshme”.
Ish-lideri gjerman ka kritikuar luftën në Ukrainë, por ka refuzuar të dënojë veprimet e Putinit – që akoma e konsideron mik të ngushtë.
Ai është kritikuar ashpër në Gjermani për qëndrimet e tij, dhe vazhdimisht i është bërë thirrje që të distancohet nga Rusia dhe Putini. /Telegrafi/