Ish-kancelari gjerman, Gerhard Shroder pritet të largohet nga bordi i drejtorëve të kompanisë shtetërore ruse të energjisë, Rosneft pas reagimeve të ashpra të publikut gjerman për lidhjet me Rusinë dhe sektorin e saj energjetik.
Schroder është kryetar i bordit të Rosneft. Kjo e fundit njoftoi sot (e premte) se ish i pari i qeverisë gjermane, “nuk do të marrë kompetencat në bordin e drejtorëve të kompanisë”.
Njoftimi erdhi një ditë pasi ligjvënësit gjermanë ranë dakord për t’i hequr privilegjet atij, raporton ap.
Theksojmë se 78-vjeçari drejtoi Gjermaninë nga viti 1998 deri në 2005. Ai është bërë gjithnjë e më i izoluar muajt e fundit për shkak të punës për kompanitë ruse të energjisë të kontrolluara nga shteti si dhe miqësinë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Përveç punës në Rosneft, ai ka qenë i përfshirë në projektet e gazsjellësit Nord Stream dhe Nord Stream 2.
Disa javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, kompania shtetërore ruse e gazit, Gazprom tha se Schroder pritet t’i bashkohet bordin të drejtorëve.
Emërimi ishte planifikuar të votohet në mbledhjen e përgjithshme vjetore të Gazpromit, i cili do të mbahet muajin e ardhshëm. /Telegrafi/