Telegrafi

Ish-kampioni Tim Witherspoon beson se Tyson do t’i nokautonte Joshuan, Furyn apo Wilderin: Nëse i godet Mike, ata do të rrëzohen

(Foto: Instagram/miketyson)

Ish-kampioni i dyfishtë botëror në kategorinë e peshave të rënda, Tim Witherspoon, beson se Mike Tyson do të mund të hynte në ring me boksierët më të mirë të momentit, Anthony Joshua, Tyson Fury e Deontay Wilder.

Legjenda amerikane iu rikthye boksit në moshën 54 vjeçare me një meç miqësor ndaj Roy Jones Jr, ndërsa fansat e tij, por edhe njohësit e boksit mendoj se ‘Iron Mike’ mund të zhvillojë një ndeshje konkurruese në kategorinë e peshave të rënda.

62-vjeçari Witherspoon thotë se Tyson do të mund të hynte në ring me yjet më të mëdha të momentit në kategorinë e peshave të rënda, pasi t’i ketë zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë.

(Foto: Instagram/miketyson)

“Mendoj se nëse ai do të kthehej dhe të ndeshje me Tyson Fury apo Deontay Wilder, mendoj se do t’i nevojiteshin disa meçe përgatitore. Nuk do t’ia dilte me një meç. Ka nevojë për disa duele dhe pastaj ta zhvillojë përballjen konkurruese. Po ta bënte këtë, mendoj se do t’ia dilte vërtet mirë ndaj Furyt apo Wilderit”.

Lexo po ashtu Anthony Joshua fiton me nokaut në raundin e nëntë ndaj Kubrat Pulev

“Sipas meje, ai ishte i mprehtë dhe i fortë, por ka nevojë të përfshihet edhe në disa duele tjera, para se të përballet me këta djem.

“Mike Tyson godet fuqishëm dhe e ka zemrën për të dalë dhe për ta lënduar këdo nga këta dhe t’i nokautojë. E gjitha që duhet të bëjë Mike është që të mësohet me sparringun dhe boksin që ta gjejë formën më të mirë”.

(Foto: Instagram/miketyson)

“Vërtet besoj se po ta godiste ndonjërin prej tyre, Wilder, Joshua apo Fury, do t’i nokautonte në një meç të vërtetë boksi. Nuk them se ata nuk e durojnë goditjen, por nëse i godet Mike, ata do të rrëzohen. Atyre u mungon mbrojtja”.

“Wilder ka pesë për qind mbrojtje nga 100 për qindëshi. Joshua ka 15 për qind. Fury 25 për qind, sepse lëviz shumë dhe bën shumë mashtrime”, ka deklaruar Witherspoon për Sun Sport. /Telegrafi/