Ish-fituesi i Topit të Artë, ukrainasi Igor Belanov, është bërë ikona e fundit sportive ukrainase që ka marrë armët në mbrojtjen e vendit të tij në luftën kundër Rusisë.
Belanov, 61 vjeç, fitoi Topin e Artë në vitin 1986 dhe është një nga tre ukrainasit që fituan çmimin e lakmuar, së bashku me Oleh Blokhin (1975) dhe Andriy Shevchenko (2004).
Ish-sulmuesi, i cili luajti për Chornomorets Odessa, Dynamo Kiev dhe Borussia Monchengladbach gjatë karrierës së tij si lojtar postoi në Facebook të hënën për të shprehur mbështetjen e tij për ushtrinë e Ukrainës.
Ai postoi një seri fotografish në llogarinë e tij, ku përfshihej njëra duke mbajtur një armë në vijën e frontit në Ukrainë dhe një tjetër duke pozuar me ushtarët.
“Guxim i mahnitshëm dhe shpirt i pashtershëm luftarak. E gjithë kjo dhe shumë më tepër karakterizojnë ushtarët tanë të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Ne jemi me ty!”.
“Paqe Ukrainës dhe Lavdi kujtdo që përballet me pushtuesit që erdhën me guxim për të shkatërruar tokën tonë dhe popullin tonë të lirë e heroik! Duke besuar në fitoren tonë të shpejtë! Lavdi Ukrainës!”, shkroi Belanov.
Belanov bëri 33 paraqitje për Bashkimin Sovjetik midis viteve 1985 dhe 1990 dhe ishte pjesë e ekipit që arriti në finalen e Euro 1988, ku humbi ndaj Holandës.
Dy vjet më parë, ai ishte një fitues surprizë i Topit të Artë pasi ndihmoi Dinamo Kievin të fitonte Kupën e Fituesve të Kupave Evropiane.
Belanov nuk është ylli i parë i sportit ukrainas që ka marrë armët në mbrojtjen e vendit të tij.
Ai i është bashkuar lojtarëve si Vasiliy Lomachenko, Vitaliy dhe Ëladimir Klitschko, dhe Oleksandr Usyk – të cilit së fundmi iu dha leja të largohej nga Ukraina për të stërvitur për luftën e tij të ardhshme me Anthony Joshua për titujt e peshave të renda në boks. /Telegrafi/