Telegrafi

Ish-fituesi i Topit të Artë bën krahasimin interesant mes Arda Guler dhe Phil Foden

Tifozët e Real Madridit të cilët ishin të entuziazmuar pas transferimit të Arda Guler duhej të prisnin një kohë të gjatë për të marrë shpërblimin e tyre.

Reprezentuesi turk u transferua tek Real Madridi në korrik të vitit të kaluar pas një aventure me Fenerbahcen, por që lëndimet e penguan që ai të dëshmojë kualitetin e tij të plotë.

Sidoqoftë, ai tashmë duket se ka lënë anash lëndimet dhe vështirësitë e të luajturit në një ekip të madh në një moshë kaq të re, ku madje ka shënuar edhe golin e tij të parë vikendin e kaluar ndaj Celta Vigos.

Ish-fituesi i Topit të Artë dhe dikur futbollisti i Real Madridit, Michael Owen, ka dhënë një intervistë për mediumin spanjoll AS duke diskutuar për një sërë temash, por ishte mendimi i tij për Guler ai që mori vëmendjen.

“Është një ekuilibër kur je i ri në moshë. Ju mund të luani çdo javë në një ekip të vogël, ose mund të mësoni dhe të stërviteni me lojtar të mëdhenj në një klub të madh. Është një eksperiencë e paçmuar”, ka thënë fillimisht Owen.

Lexo po ashtu “Jam 100% i bindur”, ylli i ri i Marokut nuk është penduar që i ka kthyer shpinën Spanjës

Ai ka përmendur zhvillimin e ngadalshëm të Phil Foden si një shembull. Guler duhet të jetë i durueshëm pasi mundësitë do të vijnë.

“Modric dhe Kroos nuk do të luajnë përgjithmonë. Do të ketë një mundësi të vërtetë tek Real Madridi për këta mesfushor të rinj, ka një shans të madh për një karrierë të gjatë atje, për lojtarin e duhur”, përfundoi ai.

A do të jetë ky lojtar Guler? Pak nga pak, ne do ta mësojmë këtë./Telegrafi/