Këtë mëngjes në Prokurorinë e Posaçme është paraqitur për t’u marrë në pyetje në lidhje me dosjen e “21 Janarit”, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.
Pas daljes nga SPAK, Burgaj u pyet nga gazetarët se pse i kishte zbatuar me vonesë urdhërarrestet, pasi bëhet fjalë për të paktën 2 javë kohë.
Ish-kreu i policisë tha se nuk është pyetur për këtë, por këmbënguli se policia ka zbatuar ligjin dhe i ka kryer ndalimet sipas urdhërarresteve përkatëse, raporton A2.
“Atë që di rreth ngjarjeve të 21 Janarit, isha I gatshëm, dhashë atë që di. Plani i masave është 50 faqe, unë s’mund ta komentoj tani. Policia e Shtetit ka pas bërë një plan të detajuar masash për 21 janarin. Ka zbatuar ligjin. Për bashkëpunimin që kemi pasur me të gjitha institucionet e tjera u pyeta dhe kemi zbatuar ligjin”, tha Burgaj.
I pyetur se cilat ishin urdhrat që policia mori nga Ministria e Brendshme për të reaguar pasi protesta doli nga kontrolli, Burgaj tha se “asnjë urdhër nuk kemi pasur për të reaguar”.
“Policia si asnjëherë tjetër në të gjithë historinë e saj ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve. Urdhërarrestet janë ekzekutuar. Nuk ka kohë policia për ekzekutimin e urdhrave”, deklaroi ai.
Pas protestës së 21 Janarit, Burgaj ai u akuzua nga opozita socialiste e asaj kohe se nuk zbatoi urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, që drejtohej nga Ina Rama, shkruan A2. Policia sakaq iu përgjigj asokohe akuzave me pretendimin se në urdhërarreste kishte gabime ortografike emrash dhe ishin shënuar me laps.
Në protestën e 21 janarit 2011 u vranë 4 protestues të opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. /Telegrafi/