Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka kërcënuar me pezullim të vizave për Kosovën, për shkak siç ka thënë ai “nuk mbahet fjala e dhënë”.
Në një konferencë për media të martën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Macroni ka thënë se pret përgjegjësi nga Kosova dhe Serbia.
“E them me shumë qartësi, kemi bërë një gjest mirëbesimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, kjo (regjimi i vizave) është pezulluar për shkak të fjalës së dhënë, e cila edhe sot nuk është mbajtur. Po e pres një angazhim serioz të të dyja autoriteteve për të lëvizur përpara në javët e ardhshme. Madje është kusht kyç për paqe edhe në rajon”, ka thënë ai.
Ndryshe Telegrafi merr vesh që qëndrimi i presidentit francez është më shumë lloj kërcënimi për kryeministrin Albin Kurti dhe Kosovën, sesa ka vendim për këtë çështje.
Lidhur me këtë kanë reaguar ish-diplomatët kosovarë, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Bernard Nikaj.
Ish-ministrja e MPJ-së, Haradinaj-Stublla ka shkruar në platfromën “X” se kjo është alarmante.
“Përpjekja për zgjidhjen e shpejtë të Francës për të kushtëzuar në mënyrë absurde Kosovën me sagën tashmë të konsumuar liberalizimin e vizave, kështu që ajo t’i kthehet dialogut të dështuar tashmë të ndërmjetësuar nga BE pa e mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimin e saj të agresionit të 24 shtatorit – është një nivel i ri i ulët në politikën e jashtme të papajtueshme të BE-së”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
ALARMING: #France's "fast remedy attempt" to absurdly condition #Kosovo with the already-consumed #visalib saga so it returns to the now-failed #EU mediated dialogue without holding #Serbia accountable for its Sept.24 crime of aggression – is a new low in EU's discordant foreign…
— Meliza Haradinaj (@MelizaHaradinaj) October 17, 2023
Ndërkaq ish-ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj ka deklaruar se pezullimi i liberalizimit të vizave do të ishte e gabuar.
“Kjo do të ishte e gabuar dhe kundërproduktive. Unë gjithashtu besoj se nuk është e realizueshme në mjedisin aktual vendimmarrës të BE-së”, ka shkruar Nikaj.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. /Telegrafi/
Media in #Tirana reporting that President @EmmanuelMacron has been talking about suspension of visa liberalisation for #Kosovo. This would be both wrong and counterproductive. I also believe not feasible in the current EU decision making environment.
— Bernard Nikaj (@nikaj) October 17, 2023