Policia e Kosovës të enjten ka intervistuar Ivan Todosijeviq, pasi që i njëjti dyshohet për falsifikim të dokumenteve në ish-komunat paralele që u mbyllën ditë më parë.
Intervistimi i tij ka ndodhur në stacionin policor në veri të Mitrovicës.
Autoritetet kanë nisur procedurat hetimore dhe pritet që të zbardhen më shumë detaje lidhur me përfshirjen e tij në këtë veprimtari të paligjshme.
Telegrafi ka siguruar pamje ku shihet Todosijeviq duke dalur nga stacioni policor.
Ndryshe zëvendësdrejtori i policisë, Veton Elshani sot gjatë ditës tha për Telegrafin se kjo çështje është në duart e hetuesve dhe prokurorisë.
“Kjo është punë e hetuesve dhe e prokurorit në fjalë, mesa e di janë pesë ftesa të cilat i kemi shpërnda, katër i kemi gjet nëpër shtëpia, një jo. Kaq mund të them unë. Arsyeja pse ata intervistohen lidhet me rastin e komuna paralele që kemi mbyllur të premten e kaluar”, ka përfunduar Elshani.
Kujtojmë se Ivan Todosijeviq ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, partisë që gëzon mbështetjen e Beogradit. /Telegrafi/