Përsa kohë mbeten në kuadër të forumeve dhe faqeve konspiracioniste, teoritë për alienët janë pak të besueshme, por kur këto teori thuhen nga njëri prej 6 personave që kanë qenë në Hënë, atëherë gjërat bëhen pak më serioze.
Wikileaks vijon me publikimin e e-maileve të John Podestas, ish-këshilltar i presidentit Barack Obama, tashmë shef i fushatës elektorale të Hillary Clinton. E mes shumë mesazheve “tokësore” gjen edhe një që flet për jashtëtokësorët, ku dërguesi besohet se është Edgar Mitchell, njeriu i gjashtë që ka shkelur në Hënë.
Në e-mail, Mitchell thotë se alienët duan të ndihmojnë njerëzimin me teknologji tejet të përparuar për të siguruar energji nga hapësira dhe me zero efekte anësore për planetin. Por ka një problem.
Sipas asaj që shkruhet në e-mail, alienët i tremben natyrës së dhunshme njerëzore dhe nuk janë të gatshëm që as të rrezikojnë dhe as të tolerojnë një luftë në Tokë apo në hapësirë.
Në mesazh, Podesta paralajmërohet edhe për një luftë hapësinore, pa u përcaktuar nëse bëhet fjalë për një luftë hapësinore mes njerëzimit dhe një qytetërimi tjetër inteligjent, apo mes vetë njerëzimit në garën për pushtimin e hapësirës.
“Gara për pushtimin e hapësirës po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe një luftë hapësinore është e pashmangshme”, shkruhet aty, transmeton TCH.
Ndërkohë, nëpër rrjetet sociale dhe disa faqe në internet po përhapet me shpejtësi lajmi për ekzistencën e një tjetër e-maili dërguar nga Mitchell për John Podestan, ku sugjerohet se “Papa është në dijeni të jetës aliene dhe se alienët janë forma më e avancuar inteligjente që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me Zotin”.