Ish-ambasadori Cana: Kancalari Scholz dëshiron ta shtyjë përpara “Ballkanin e Hapur”
Ismail Jakupi
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini është diskutuar vizita e kryeministrit Albin Kurti, dhe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin, ku sipas ish-ambasadorit të Kosovës Edon Cana, synimet e kancelarit gjerman Olaf Scholz, janë që nëpërmjet katër marrëveshjeve të shtyjë përpara në formën de fakto “Open Ballkanin”
Ish-ambasadori, Edon Cana, ka thënë se synimet e Gjermanisë janë ta nxisë Kosovën që të bëhet pjesë e marrëveshjeve rajonale, ku si qëllim kanë përkrahjen e “Open Ballkanit”.
Mesazhin e Scholz-it, e ka deshifruar ish-ambasadori i Kosovës ku sipas tij procesi i Berlinit është cilësuar si “vdekje klinike”, pasi fokusi i Bashkimit Evropian është tek nismat rajonale dhe jo tek rruga drejtë Bashkimit Evropian.
Por, kjo situatë është duke u shfrytëzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Është një lëvizje strategjike në një kontekst sipërfaqësor. Ata kanë një strategji dhe vizion ku metoda e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është që të duket si një njeri konstruktiv që nuk dëshiron ta bllokoj dialogun, nuk dëshiron të jetë destruktiv në raport me bisedime të cilat janë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, është shprehur Cana.
Ai ka konstatuar se procesi i Berlinit nuk ka sjellur asgjë për Kosovën.